Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka sulmuar gazetarët dhe shoqërinë civile, duke lëshuar akuza të forta ndaj tyre për, siç thotë ajo, “dëshirë për polemika” dhe afërsi me opozitën.
Në një postim të publikuar, Mihali u shpreh e pakënaqur me pyetjet që u bënë në konferencat për media, si ndaj ministrave Hekuran Murati dhe Hajrulla Çeku, ashtu edhe ndaj ministres Albulena Haxhiu dhe deputetes Mimoza Kusari-Lila.
“Disa nga punonjësit e mediave shfaqën dëshirë të pazakontë për polemika edhe debat të atypëratyshëm”, ka shkruar ajo.
Mihali ka shkuar edhe më larg, duke tentuar t’i lidhë gazetarët dhe shoqërinë civile drejtpërdrejt me opozitën, duke thënë:
“Me gjasë subjektet politike nuk po arrijnë të shohin potencialet që gjenden në këto grupacione. Mbase duhet në zgjedhjet e ardhshme të ftohen më shumë prej tyre si kandidatë. Jo ne kuptohet, por opozita”.
Komentet e saj kanë ngritur menjëherë shqetësime mbi qasjen e Vetëvendosjes ndaj lirisë së shtypit dhe rolit të shoqërisë civile, në një kohë kur raportet mes pushtetit dhe mediave janë të tendosura.
Postimi i plotë i Mihalit:
Edhe dje në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, gjatë përgjigjeve të Ministrave Hekuran Murati dhe Hajrulla Ceku edhe sot gjatë konferencës në Kuvend të ministres Albulena Haxhiu dhe deputetes Mimoza Kusari disa nga punonjësit e mediave shfaqën dëshirë të pazakontë për polemika edhe debat të atypëratyshëm.
Paralel me ta edhe punëtorët e organizatave KDI-IKD-dhe të ngjashme nga banaku i TV e kanë shfaqur këtë dëshirë.
Me gjasë subjektet politike nuk po arrijnë të shohin potencialet që gjenden në këto grupacione.
Mbase duhet në zgjedhjet e ardhshme të ftohen më shumë prej tyre si kandidatë. Jo ne kuptohet por opozita.