Teksa SHBA po merr në dorë fatet e luftës në Ukrainë dhe në Gaza, duket se Evropa është kujtuar të reagojë.
Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, do të zhvillojë nesër pasdite një takim jozyrtar me krerët e qeverive të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës.
Kjo u konfirmua nga burime në Elysee, duke nënvizuar synimin e Macron për të “filluar konsultimet midis liderëve evropianë për situatën në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë në Evropë”. Në mëngjes flitej mbi këtë takim, por tani është zyrtare.
Takimi do të zhvillohet pasdite, ku do të jenë i pranishëm edhe Presidenti i Komisionit të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Pra 10 liderët do mblidhen kokë më kokë. “Puna mund të zgjerohet në formate të tjera për të bashkuar të gjithë partnerët e interesuar për paqen dhe sigurinë në Evropë”, njoftuan burimet, raporton “Corriere Della Sera”.
Takimi vjen në një kohë kur Trump ka nisur bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për arritjen e paqes. Mirëpo Kievi ka mbetur i pakënaqur deri më tani.
Sipas Politico, në ndalesën e tij të dytë, në Arabinë Saudite, Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio do të nisë negociatat e paqes. Ndërkohë, Rubio foli në telefon me homologun e tij rus Lavrov, duke rikonfirmuar mundësinë e një takimi të ardhshëm Trump-Putin dhe përkushtimin e presidentit amerikan për paqen në Ukrainë dhe Gaza.
Në anën tjetër Zelensky konfirmoi: “ne kemi filluar të punojmë me ekipin e Presidentit Trump dhe tashmë mund të shohim se suksesi është i arritshëm”.
Evropa do të konsultohet, por është jashtë tryezës, thotë i dërguari i SHBA Kellogg.