Gjendja e të lënduarve nga një zjarr vdekjeprurës në një klub nate në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë kryesisht e qëndrueshme, tha të martën zëvendësministrja e Shëndetësisë Jovica Andovski.
Megjithatë, ajo shtoi se “nuk mund të thuhet se si do të jetë gjendja e tyre në të ardhmen, sepse është ende herët”.
Të paktën 59 njerëz vdiqën dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, në orët e hershme të së dielës.
Gjithsej 76 të lënduar nga zjarri janë dërguar jashtë vendit për mjekimin e plagëve, ndërsa pjesa tjetër me lëndime më të lehta po marrin tretman në spitalet vendore.
Autoritetet maqedonase synojnë të dërgojnë më shumë të lënduar jashtë vendit për mjekim të mëtejshëm, përfshirë në vende si Polonia, Suedia, Holanda, Italia, Kroacia, Norvegjia dhe Sllovenia.
Qindra qytetarë protestuan të hënën në Koçan për të shprehur zemërimin dhe për të kërkuar drejtësi pas zjarrit në klubin e natës “Puls”.
Qeveria maqedonase ka shpallur shtatë ditë zie për këtë tragjedi, ku shumica e viktimave ishin të rinj.
Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë arrestuar 23 dyshuar deri tani, 11 prej të cilëve ndodhen në paraburgim.
Autoritetet kanë zbuluar se klubi operonte në mënyrë të paligjshme, nuk kishte dokumente të vlefshme për punë, nuk dispononte leje për përdorimin e piroteknikës dhe nuk kishte nënshkruar kontratë me grupin muzikor, raporton REL.
Ndër shkeljet e konstatuara është edhe lejimi i të miturve në klub.
Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po përformonte.