Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklaruar ditën e sotme se Ukraina nuk do të pranojë një marrëveshje për mineralet me Shtetet e Bashkuara që do të rrezikonte anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Kushtetuta e Ukrainës thotë qartë se kursi ynë është drejt BE-së… Ka reforma shumë të rëndësishme dhe hapa përkatës. Asgjë që mund të rrezikojë … pranimin e Ukrainës në BE nuk mund të pranohet“, tha Zelensky në një konferencë shtypi në Kiev të premten në mbrëmje, raporton “Politico”.
Komentet e tij vijnë pasi Bloomberg dhe Financial Times raportuan për ofertën më të fundit të Uashingtonit për mineralet për Kievin, e cila do t’i jepte Shteteve të Bashkuara akses në naftën, gazin dhe mineralet e Ukrainës përmes një fondi të përbashkët investimi që do të ndante të ardhurat e këtyre projekteve midis dy vendeve.
Presidenti ukrainas konfirmoi se Kievi kishte marrë zyrtarisht një draft të ri të marrëveshjes së propozuar nga Uashingtoni, i cili përfshinte shumë dispozita të reja që nuk ishin diskutuar më parë, si dhe disa aspekte që tashmë ishin refuzuar nga të dyja palët, sipas mediave ukrainase.
“Komisioni Evropian do të bëjë një vlerësim të tekstit, i cili mund t’u japë një trajtim preferencial kompanive amerikane, pasi të ketë një marrëveshje konkrete me shkronjat e zeza në të bardhë. Një marrëveshje e tillë do të duhet të shikohet nga perspektiva e marrëdhënieve midis Ukrainës dhe BE-së dhe, veçanërisht, në aspektin e negociatave të pranimit”, tha të premten Paula Pinho, zëdhënësja kryesore e Komisionit.
Kjo situatë e vendos Kievin në pozicion për të zgjedhur mes SHBA-së dhe BE-së, deri më tani Zelensky ka bërë zgjedhjen e duhur, Europën. Kjo për shkak se me presidentin Trump në krye, SHBA po kërkon të zhvasë Kievin duke e detyruar të firmosë një marrëveshje për shfrytëzimin e mineraleve dhe burimet natyrore të saj pa kufi.
Nga ana tjetër, BE-ja ka vijuar të japë fonde për të mbajtur në këmbë makinerinë e luftës së Ukrainës, e cila përballet çdo ditë me sulmet ruse. Gjithashtu BE-ja është zotuar që të mos pranoj marrëveshje paqeje me Rusinë që do të dëmtonte Ukrainën, ndryshe nga ajo që ka propozuar SHBA. Mineralet ukrainase janë një synim edhe i BE-së, por këta të fundit janë të gatshëm të japin një ofertë shumë herë më të favorshme se ajo e SHBA-së. Për momentin BE-ja duket zgjidhja e duhur për Ukrainën dhe Zelensky atë ka bërë.