Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se vullnetarë amerikanë dhe britanikë nga një organizatë humanitare ishin në mesin e atyre që ishin në një hotel në Kryvyi Rih të goditur nga një sulm me raketa mbrëmë.
Duke shkruar në gjuhën ukrainase në kanalin e tij Telegram, Zelensky thotë se operacioni i shpëtimit në Kryvyi Rih “zgjati gjithë natën”.
“Raketat balistike goditën një hotel të zakonshëm. Pak para sulmit, vullnetarë nga një organizatë humanitare – qytetarë të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë – u regjistruan (check-in) në hotel”, thotë ai, shkruan BBC.
“Ata mbijetuan sepse arritën të zbrisnin nga dhomat e tyre. Por, për fat të keq, katër persona u vranë në sulm”.
“Në total u plagosën më shumë se 30 persona, të gjithëve iu ofrua ndihma e nevojshme. Nga goditja u dëmtuan shumë objekte civile përreth hotelit. Ekipet e shpëtimit janë ende duke punuar në vendin e ngjarjes – të gjitha shërbimet”, tha Zelensky.
“Nuk mund të ketë pauzë në presionin ndaj Rusisë për të ndalur këtë luftë dhe terror kundër jetës”, tha ai, duke iu referuar pezullimit të ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të inteligjencës nga ana e SHBA-së.