Presidenti Volodymyr Zelenskiy po viziton Arabinë Saudite ku po takohet me princin e kurorës Mohammed bin Salman, një ditë para bisedimeve mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë. Uashingtoni shpreson se bisedimet do të sjellin përparim thelbësor drejt përfundimit të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
Në një përpjekje për paqe, Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar qasjen e tyre në raport me konfliktin, duke u angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta me Moskën.
Arabia Saudite ka luajtur një rol ndërmjetësues që nga sulmi rus në vitin 2022, përfshirë ndërmjetësimin e shkëmbimit të të burgosurve si dhe si vendi pritës i bisedimeve të muajit të kaluar mes Moskës dhe Uashingtonit.
Bisedimet e së martës mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas janë të parat që nga një takim me tone të nxehta mes udhëheqësit të Ukrainës Zelenskiy dhe Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë i dërguari i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff tha se kishte shpresa të mëdha.
“Mendoj se ne po shkojmë atje me pritshmërinë që do të bëjmë përparim thelbësor“, tha ai në një intervistë për rrjetin televiziv ‘Fox News’.
I pyetur nëse mendonte se zoti Zelenskiy do të vinte brenda kësaj jave në Shtetet e Bashkuara për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e rralla zoti Witkoff tha: “Shpresoj vërtet. Të gjitha shenjat janë shumë, shumë pozitive”.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio bëri një koment më të kujdesshëm, duke thënë se duheshin përpunuar ende edhe disa detaje të tjera të marëveshjes. Ai shtoi se bisedimet mund të konsideroheshin të suksesshme edhe pa nënshkrimin e një marrëveshjeje dhe theksoi nevojën për të vlerësuar gatishmërinë e Kievit për të bërë lëshime për të arritur paqen.
Nën presionin e madh të presidentit Trump, zoti Zelenskiy ka bërë përpjekje për të treguar se Kievi është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës sa më parë, pavarësisht se nuk ka arritur të marrë garancitë amerikane të sigurisë që Kievi i sheh si jetike.
Zoti Zelenskiy ka thënë se nuk do të marrë pjesë në bisedimet e së martës me zyrtarët amerikanë që mbahen në Xhedah. Në përbërje të delegacionit ukrainas do jetë edhe shefi i shtabit, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes si dhe një zyrtar i lartë ushtarak i kabinetit të presidentit.
“Nga ana jonë, ne jemi plotësisht të përkushtuar për dialog konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të biem dakord mbi vendimet dhe hapat e nevojshëm”, tha zonja Zelenskiy në një postim në rrjetin social ‘X’.
“Propozimet realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizësh shpejt dhe me efektivitet“, shtoi ai.
Zyrtarët amerikanë thanë se po planifikonin ta përdornin takimin pjesërisht për të kuptuar nëse Kievi është i gatshëm t’i bëjë lëshime Rusisë me synimin për t’i dhënë fund luftës.
Një zyrtar amerikan tha se “Ne duam të shohim nëse ukrainasit janë të interesuar jo vetëm për paqen, por për një paqe realiste”.
Të dielën Presidenti Trump tha se ai priste rezultate të mira nga bisedimet, duke shtuar se Uashingtoni “sapo i kishte dhënë fund” pezullimi të shkëmbimeve të informacioneve të inteligjencës me Kievin.
Sekretari Rubio tha se Ukraina tashmë po merrte nga Shtetet e Bashkuara të gjithë informacionet e inteligjencës që lidheshin me mbrojtën e saj.
“Shpresoj se do të mund ta zgjidhim çështjen që lidhet me pauzës e ndihmës për Ukrainën. Mendoj se ajo që do të ndodhë nesër (e martë) do të jetë çelësi për këtë“, tha Sekretari Rubio.