Xhiro e 8-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll do të mbyllet sot me dy duele tejet interesante.
Ndeshja kryesore e ditës është padyshim ajo mes Llapit dhe Ballkanit.
Kampioni vjen pas një fitore të thellë në shtëpi 4-0 ndaj Ferizajt, teksa llapjanët po ashtu triumfuan thellë ndaj Suharekës me rezultat 3-0 në shtëpi, e cila ishte fitorja e tretë rresht e tyre në kampionat.
Dy skuadrat që do të luftojnë të marrin kreun e tabelës kanë bilanc identik pas 7 xhirove të luajtura, me ‘portokallinjtë’ që ndodhen aktualisht në vendin e tretë me 13 pikë, po aq sa ka edhe Llapi në një pozitë më poshtë.
Dueli i fundit mes tyre i zhvilluar në “Zahir Pajaziti” ishte ndeshje ‘historike’ për Ballkanin, të cilët siguruan titullin e ligës për herë të tretë rresht, pas një fitore 1-0 me golin e Bernard Karricës.
Ndeshja tjetër interesante është ajo mes Suharekës dhe Malishevës.
Malisheva ndodhet lider në Superligë me 14 pikë por ndeshjen e fundit u ndal me barazim 1-1 në udhëtim ndaj Feronikelit 74.
Suhareka ndërokohë fundjavën e kaluar u njoftua me humbjen e parë në kampionat, duke pësuar disfatë 3-0 ndaj Llapit.
Suharekasit ndodhen në pozitën e 6-të me 13 pikë, duke ndarë pikët me Prishtinën, Ballkanin, Llapin dhe Dritën.
Të dyja duelet fillojnë nga ora 15:00.