spot_img
Wednesday, March 19, 2025
spot_img

Vushtrria, qyteti ku gurët tregojnë histori

Shkruan Gresa Shaqiri

Vushtrria, një nga qytetet më të vjetra të Kosovës, mban brenda vetes një histori që shtrihet deri në kohën iliro-dardane.

E ndërtuar mbi themele të lashta, ajo ka parë perandori të ngriten dhe të bien, duke kaluar nga duart e romakëve te bizantinët, serbët dhe osmanët.

Në shekujt XV-XVIII, u shndërrua në një qendër të rëndësishme administrative, duke u bërë një nga qytetet më të mëdha të Rrafshit të Kosovës.

Nuk janë vetëm librat ata që ruajnë kujtesën e qytetit të Vushtrrisë, aty edhe gurët flasin! Çdo hap mbi kalldrëmet e vjetra është një rrëfim i lashtësisë, çdo gur i Urës së Gurit është një dëshmi që sfidon kohën, dhe muret e Kalasë pëshpëritin legjenda të harruara.

Me monumente historike si Kalaja, Ura e Gurit dhe Hamami i Vjetër, ajo mbetet një dëshmi e gjallë e zhvillimeve dhe kulturave që kanë lënë gjurmë ndër shekuj.

“Vushtrria nuk është thjesht një qytet i vjetër, ajo është një nga gurët themelorë të historisë së Kosovës. Nëse shikoni burimet historike, do të shihni se ky qytet ka qenë gjithmonë një pikë strategjike për civilizimet që kanë kaluar në këtë rajon,” thotë historiani Rrustem Mehmeti.

Një nga simbolet më të fuqishme të Vushtrrisë është Kalaja, e cila qëndron krenare si një kujdestare e së kaluarës. E ndërtuar në periudhën iliro-dardane, ajo ka shërbyer si mburojë për qytetin për shekuj me radhë.

Në vitin 1922, një pjesë e saj u dëmtua kur çatia e kullës u shit në ankand, por ende sot, muret e saj ruajnë kujtimet e betejave dhe pushtimeve që ka përjetuar ky qytet.

“Sot, kur vizitojmë Kalanë e Vushtrrisë, ndiejmë madhështinë e saj, por ajo ka parë kohë shumë më dramatike. Në periudha të ndryshme, ka qenë fortifikatë ushtarake, qendër e administratës osmane dhe më vonë, thjesht një kujtim i lavdisë së dikurshme,” thotë historiani.

Po aq mbresëlënëse është edhe Ura e Gurit, një nga urat më të vjetra të Kosovës. Dikur, mbi të kalonin tregtarët dhe udhëtarët që lidhnin fshatrat e Çyçavicës me qytetin, por me ndryshimin e rrjedhës së lumit Sitnica, ajo mbeti mbi një shtrat të thatë një monument që dëshmon për lashtësinë dhe mjeshtërinë e ndërtimit të asaj kohe.

“Kjo urë nuk është vetëm një objekt arkitektonik. Ajo është një dëshmi e një kohe kur Vushtrria ishte qendër e rëndësishme tregtare. Përmes saj kalonin njerëz, mallra dhe histori,” thotë historian.

Në zemër të qytetit qëndron edhe Hamami i Vjetër, i njohur si Hamami i Gazi Ali Beut. Për shekuj me radhë, ai ka shërbyer si një vend jo vetëm për pastërti, por edhe për biseda, takime dhe shkëmbime tregtare.

Arkitektura e tij osmane ende e bën një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit, edhe pse sot ka nevojë për restaurim dhe kujdes më të madh.

“Shtëpitë, urat dhe hamamet nuk janë vetëm ndërtesa. Ato janë histori të gjalla. Kur Vushtrria ishte një nga qytetet kryesore të Perandorisë Osmane në këtë rajon, hamami shërbente si një vend takimi, një hapësirë për biseda dhe vendimmarrje,” thotë historiani.

Përtej këtyre monumenteve të njohura, Vushtrria fsheh edhe histori të tjera, si rrënojat e një vile romake në Pestovë dhe vendbanimi i hershëm i njohur si Gradina e Malokëve. Këto janë dëshmi të një historie që ka lënë gjurmë të thella në këtë trevë.

“Shumë njerëz nuk e dinë se Vushtrria ka qenë një zonë e banuar qysh në kohët antike,” thotë historiani.

“Gjurmët e romakëve dhe ilirëve janë ende të pranishme, por fatkeqësisht, ne nuk i njohim sa duhet,” thotë historiani.

Megjithatë, sfidat për ruajtjen e trashëgimisë së Vushtrrisë mbeten të mëdha.

Mungesa e fondeve dhe nevoja për ndërgjegjësim e bëjnë të domosdoshme që brezat e rinj të njihen me këtë histori të pasur. Për këtë, shkollat mund të integrojnë mësime mbi historinë lokale, ndërsa teknologjia mund të ndihmojë përmes tureve virtuale dhe platformave interaktive.

“Ne duhet të kujdesemi për trashëgiminë tone. Nëse e harrojmë historinë e Vushtrrisë, atëherë harrojmë edhe një pjesë të identitetit tone,” thotë për fund historiani.

Një qytet nuk matet vetëm me ndërtesat e tij, por me kujtimet që ai ruan. Dhe në Vushtrri, çdo rrugicë, çdo gur dhe çdo mur flet për të kaluarën e lavdishme të këtij qyteti. Tani, mbetet tek ne të sigurohemi që këto histori të mos mbeten vetëm kujtime të së shkuarës, por një pjesë e gjallë e së ardhmes sonë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit