Wednesday, July 16, 2025
spot_img

Vuçiq: Shpresoj se në BE do të kenë mirëkuptim për vizitën time në Moskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se është i vetëdijshëm që shumë zyrtarë në Bashkimin Evropian (BE) nuk e miratojnë vizitën e tij të fundit në Moskë, por shpreson se do të ketë mirëkuptim dhe se Beogradi do të mund të hapë së shpejti kapitullin e tretë të negociatave me BE-në.

Vuçiqi, pas bisedës me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se është i kënaqur me takimin dhe se gjatë takimit është diskutuar për dialogun me Kosovën, ruajtjen e paqes rajonale, nevojën për reforma në Serbi dhe për vizitën e tij në kryeqytetin rus.

“Jam shumë i lumtur që kemi biseduar, dhe jam i kënaqur me përmbajtjen e bisedave tona. Costa solli vullnet të mirë në bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në BE. BE-ja është partneri më i rëndësishëm për ne, kemi shkëmbimin më të madh tregtar dhe të shërbimeve me të”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shtuar se është i vetëdijshëm që atmosfera për hapjen e kapitujve të rinj negociues për anëtarësimin në BE “nuk është edhe aq e mirë” për shkak të vizitës së tij në Moskë, por ka pretenduar se “Serbia do të përpiqet të përmbushë gjithçka që është dakorduar më parë”.

Gjatë pyetjes së një gazetari drejtuar Costas, nëse presidenti i Serbisë nuk i ka dëgjuar zyrtarët e BE-së në lidhje me shkuarjen në ceremoninë e Ditës së Fitores në Moskë, Vuçiqi ka ndërhyrë duke thënë se detyra e tij është të dëgjojë dhe t’i shërbejë qytetarëve të Serbisë dhe askujt tjetër.

“Nuk është detyra ime të dëgjoj këdo tjetër, detyra ime është t’u shërbej qytetarëve të këtij vendi. Ashtu jam sjellë dhe gjithmonë do të sillem. Gjithmonë e them atë që mendoj dhe që është në interes të popullit tonë. Është e qartë se në Moskë u shënua 80-vjetori i fitores mbi fashizmin. Që në tetor e kam paralajmëruar se ku do të shkoj, ndryshe nga të tjerët që nuk e kanë paralajmëruar dhe megjithatë kanë përfunduar atje”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka përsëritur se Serbia “mbetet në rrugën evropiane” dhe ka paralajmëruar se vendi i tij do të “përshpejtojë procesin e reformave”.

“Serbia në Evropë është qëllimi ynë dhe vullneti ynë politik. Besoj se edhe njerëzit që për një apo dy vjet do të jenë presidentë apo ministra të rinj, pa asnjë dyshim do të vazhdojnë në këtë rrugë”, ka përsëritur Vuçiqi demagogjinë e tij.

Sipas fjalëve të tij, “është arritur përparim në fushën e ligjeve për mediat”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit