spot_img
Thursday, November 28, 2024
spot_img

“Vuçiq është në pozicion komod për të luajtur me…”, “zbulohet” arsyeja pse tolerohet Serbia

Ishte paralajmëruar të hapej për qarkullim gjatë verës, ishin bërë testime, ka dalë raporti se gjithçka është në rregull me të, por Ura e Ibrit, vazhdon të mos jetë e hapur.

Gjersa, Qeveria e Kosovës ka insistuar në hapejn e saj, ndërkombëtarët kanë kërkuar që hapja e saj të diskutohet në dialog.

“Çdo vendim që lidhet me Urën e Ibrit në Mitrovicë duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është vlerësimi i përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ndërsa, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

Kurse, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte thënë se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.

Ai tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.

“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, u shpreh Stano.

Publicisti serb, Zlatoje Martinov në një prononcim për gazetën ka folur rreth arsyeve pse BE po e toleron Serbinë e Vuçiqin, ndërsa Kosovën e kritikon dhe do sanksione tjera ndaj saj.

Sipas tij, çështja e litiumit dhe fitimi i tij duket se ka zëvendësuar të gjitha parimet morale, duke përfshirë parimet e politikës perëndimore.

“Tani, për shkak të litiumit, Vuçiq përsëri mbështetet si një “partner ekonomik i besueshëm” (Kancelari Solz). Fitimi duket se ka zëvendësuar të gjitha parimet morale, duke përfshirë parimet e politikës perëndimore të shpallur zyrtarisht për demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut. Asnjë nga këto nuk është më e rëndësishme për ta kur bëhet fjalë për litium ose fitim. Ndryshe, bashkë me autokratin Vuçiq, nuk do të ishin kundër simbolizmit kaq të bukur si hapja e urës dhe bashkimi i njerëzve, pjesëtarëve të dy bashkësive kombëtare”, deklaron Martinov.

Sipas tij, nëse Kurti dëshiron që komuniteti serb dhe shqiptarë të jenë më afër, e jo më larg dhe kjo gjë e shqetëson Vuçiqin, atëherë është e pakuptueshme që ta shqetësojë edhe komunitetin jo ndërkombëtar.

“Stano, zëdhënësi i BE-së kërcënon Kosovën me sanksione të reja nëse Kurti hap urën dhe në këtë mënyrë simbolikisht tregon se dëshiron që komuniteti serb dhe ai shqiptar të jenë më afër e jo më larg. Nëse kjo e shqetëson Vuçiqin, është e pakuptueshme që shqetëson edhe komunitetin jo ndërkombëtar! Perëndimi gjithashtu mbyll një sy ndaj refuzimit publik të Vuçiqit për të respektuar dhe zbatuar dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit”, shprehet publicisti.

Në korrik të këtij viti, Bashkimi Evropian dhe Serbia nënshkruan të premten një marrëveshje për partneritet strategjik në fushat e lëndëve të para të qëndrueshme, zinxhirëve të prodhimit të baterive dhe makinave elektrike.

Marrëveshja pasoi vendimin e autoriteteve në Serbi për të çuar përpara projektin për minierën e litiumit, që pritet të përmbushë një pjesë të kërkesës evropiane për këtë produkt.

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Beograd, tha se “është një projekt i rëndësishëm evropian dhe gjithashtu një kontribut për të siguruar që Evropa të mund të mbetet sovrane në një botë në ndryshim dhe të mos jetë e varur nga të tjerët.

Sipas Martinov, me litiumin Vuçiq ka pozicion komod për të luajtur si me Lindjen, ashtu edhe me perëndimin.

“Për sa kohë që është kështu, Vuçiq do të ketë një pozicion komod për të luajtur si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin. Dhe tani Vuçiq e ka edhe litiumin si atu politik. Sepse litiumi është për Evropën dhe SHBA-në një lëndë e parë e rëndësishme për prodhimin e baterive për makinat elektrike për të parandaluar që Kina të bëhet vendi lider në industrinë e automobilave në botë”, përfundon Martinov.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit