Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë, ku babai 74-vjeçar Hekuran Gjoni goditi me thikë për vdekje djalin e tij, Asim Gjoni, 37-vjeçar. Atë e bir jetonin në të njëjtën banesë, atje ku ndodhi krimi.
Policia ka ndaluar autorin e dyshuar, 74-vjeçarin, i cili ka qenë në gjendje të dehur. Ndërkohë nga dëshmitë e mbledhura nga policia mësohet se mes babait dhe djalit nuk ka pasur konflikte të mëparshme, çka duket se shkaku i ngjarjes së rëndë ka qenë një sherr momental, i krijuar ndoshta për shkak të gjendjes që kishte si babai ashtu edhe djali, për shkak të alkoolit që kishin konsumuar.
Nga raportimet mësohet se djali ka nisur të bëjë shaka me babain e tij, i cili duket se nuk ka duruar dhe ka marrë një thikë duke goditur djalin në sy të familjarëve të tjerë. Ishin këta të fundit që kanë marrë 37-vjeçarin dhe e kanë transportuar në spital, ku edhe humbi jetën, ndërsa është njoftuar policia.