Lëvizja Vetëvendosje qendra Pejë ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri, në seancën e Kuvendit Komunal të Pejës. Lëvizja ka dënuar fjalët e tij në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, të cilat i ka quajtur të papranueshme dhe skandaloze.
Në reagimin e saj, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se salla e Kuvendit Komunal nuk është vend për deklarata të tilla, por një hapësirë për diskutimin e punëve dhe projekteve të realizuara apo të planifikuara në komunën e Pejës.
Ajo ka akuzuar kryetarin Muhaxheri për përdorimin e një gjuhe që mund të nxisë ndasi mes qytetarëve.
“Deklaratat e tij, të cilat pretendojnë se veprimet e Qeverisë i kanë shërbyer vetëm Serbisë, janë të papranueshme dhe të dëmshme. Një gjuhë e tillë, e përdorur nga kryetari i komunës, rrezikon të nxisë ndasi dhe përçarje mes qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.
Deklaratat e kryetarit, sipas Lëvizjes, janë të dëmshme dhe papranueshme për grupin e asamblistëve të saj, përfaqësuesit e tjerë të Kuvendit Komunal, institucionet e Kosovës dhe shtetësinë e vendit.
Vetëvendosje ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë të lumtur që sovraniteti i shtetit është i plotë në çdo cep të venditl, duke i ka ftuar ata “të mos bien pre e deklaratave të tilla dhe të besojnë në institucionet e Kosovës”.