Rastet e incidenteve me armë zjarri ku janë përfshirë zyrtarët policorë nuk janë fort të rralla. Kështu po dyshohet se ndodhi dje pasdite në fshatin Vraniq të Suharekës, ku një zyrtar policor është vetëplagosur aksidentalisht me armë zjarri.
Për këtë rast tashmë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Për këtë rast, Policia ka njoftuar në raportin 24 orësh duke e paraqitur si lëndim aksidental, ndërsa fare nuk është përmendur fare që viktima është polic.
Bëhet fjalë për zyrtarin policor E.Muqa, rreth 24-vjeçar, i cili është vetëplagosur në duar me armën e tij zyrtare.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali, viktima është dërguar fillimisht në QKMF në Suharekë e më pas në Spitalin Rajonal në Prizren, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Pas tretmanit në spital, polici është liruar, ndërsa arma zyrtare e tij është sekuestruar nga njësitë përkatëse.
Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë marrë në koordinim me IPK-në.