Monday, March 31, 2025
spot_img

Vengu zbardh detajet e aleancës me Kosovën e Kroacinë: Informuam aleatët dhe partnerët strategjikë

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka zbardhur detaje nga marrëveshja trepalëshe për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes që u firmos mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në Tiranë.

Pakti që ka ndezur reagime të forta në Beograd, sipas Vengut, është një aleancë e natyrshme midis tre vendeve që përballen me kërcënime të ngjashme për sigurinë e tyre.

“Nisma nuk është aspak e diskutueshme. Është një aleancë trepalëshe krejt e natyrshme, fillimisht e artikuluar para një viti në tryeza të përbashkëta rajonale të stafeve të Ministrive të Mbrojtjes dhe nga paraardhësi im me homologun kroat. E rishtruar në Ministerialin e fundit që patëm në NATO në fillim të këtij viti ku pata një takim me homologun kroat dhe konsultime të përbashkëta me homologun kosovar.

Erdhi natyrshëm si rezultat i leximit të njëmend të kërcënimeve që i kanosen rajonit nga pikëpamja e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërhyrjeve të pala të treta në rajon, kërcënimet hibride, nga pikëpamja kibernetike, nga pikëpamje e influencimit dhe dezinformimit në debatet tona publike. Pra një sërë elementesh që i lexojmë njësoj”, tha Vengu.

Në vijim, ministri shqiptar i Mbrojtjes u shpreh se një nismë e tillë i shkon për shtati rrugëtimit të Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së, pasi gëzon mbështetjen e dy vendeve anëtare të Aleancës në çdo diskutim që bëhet në paradhomat e saj.

“E dyta, ne e mbështesim Kosovën si dy vende aleate, anëtare të NATO-s. Kosova është e njohur nga Kroacia dhe për ne përbën një prioritet nga pikëpamje s sigurisë kombëtare dhe e politikës sonë të jashtme dhe sa herë na jepet mundësi ta mbështesim Kosovën në tryeza rajone, të cilat janë paradhomat e anëtarësimit në BE dhe NATO, ne e bëjmë në mënyrë konsistente.

Dhe një nga pikat e marrëveshjes trilaterale është mbështetja e palëkundur e Kroacisë dhe Shqipërisë për ecurinë e Kosovës në këto nisma rajonale, siç është Karta e Adriatikut e cila është efektivisht paradhoma e një vendi para se të anëtarësohet në NATO”, deklaroi ministri shqiptar.

I pyetur nëse Kroacia dhe Shqipëria janë konsultuar me NATO-n dhe ShBA-në për t’i dhënë jetë kësaj aleance ushtarake, Vengu tha se aleatët dhe partnerët strategjikë kanë qenë të informuar për hapat e ndjekur.

“Ne nuk kemi ndërtuar një bashkëpunim kundër një pale tjetër. Ky është bashkëpunim mes tre vendeve sovrane. Për pasojë ne nuk kemi pse konsultohemi me palë që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshje. Kjo nuk do të thotë që ne nuk informojmë aleatët tanë apo partnerët tanë strategjikë për përmbajtjen e kësaj marrëveshje që në krye të herës. Dhe kjo nuk nënkupton se ne nuk informojmë dhe aktorë të tjerë që duhet të jenë të informuar për qëllimet e kësaj marrëveshje”, tha Vengu.

Në përfundim, Vengu sqaroi se ajo me Kosovën dhe Kroacinë është marrëveshje e hapur dhe jo e mbyllur vetëm për tre shtete, ndaj ka diskutime dhe konsultime me të tjera vende për t’u bërë pjesë e saj.

“Ne synojmë pse jo të kemi edhe anëtarë të tjerë, me të cilët kemi konsultime, qoftë anëtarë aktualë të BE-së dhe të NATO-s, të cilët kanë një këndvështrim të njëmend sa i përket rreziqeve të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore”, sqaroi Vengu.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit