Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka marrë vendim për pezullimin e lejes së sigurisë për avokatët që ndihmuan ish-prokurorin Jack Smith ta hetonte atë.
Sipas avokatëve të licencuar nga Gjykata Speciale, ky urdhër i Trump-it mund të ketë ndikim në punën e Dhomave të Specializuara në Hagë ku po hetohen ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë fushatës për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kishte premtuar se me të fituar zgjedhjet, do ta shkarkojë prokurorin special, Jack Smith.
Lidhur me këtë, Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv përmes të cilit pezulloi lejet e sigurisë së avokatëve për stafin e firmës që ndihmuan prokurorin Smith në hetimet ndaj Trump.
Këtë gjë, avokatët e licencuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, e ndërlidhin me punën e këtij institucioni.
“Është shumë pozitive që presidenti Trump është duke u marrë me këtë çështje, për shkak se lidhet çështja edhe e hetimeve të presidentit amerikan, edhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe unë shpresoj që ka për t’u vazhduar edhe me vartësit e Smithit në Prokurorinë Speciale, me prokurorët që ai ka emëruar dhe të cilët janë duke vazhduar rrugën e tij, që pa prova bindëse, pa dëshmi të bazuara mirë është duke i akuzuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Skënder Musa, avokat i licencuar.
“Duhet të kihet parasysh se vet mënyra e njoftimit për deponimin e aktakuzës në momente kur ish-presidenti Thaçi ishte në rrugëtim e sipër për në Shtetet e bashkuara të Amerikës, e të gjitha këto, natyrisht që lënë hapësirë për aludime, andaj vlerësoj që një proces i tillë hetimor në SHBA do të mund të hedhet dritë edhe në bazën e aludimeve eventuale që janë ngrit në raport me Gjykatën Speciale”, tha Ardian Bajraktari, avokat i licencuar.
Për punën e Dhomave të Specializuara, ku po hetohen ish-krerët e UÇK-flet dhe vendimin e Trumpit ka folur edhe Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Nuk e shoh ndonjë ndërlidhje të drejtpërdrejt ose ndikim të drejtpërdrejt në mes të veprimeve që ka marrë presidenti Trump në raportin me Jack Smithin dhe me proceset gjyqësore që zhvillohen”, tha ai
Jack Smith ishte edhe kryeprokuror i Speciales, kur në qershor të vitit 2020 u ngrit aktakuza për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Smith dha dorëheqje nga kjo pozitë në nëntor të 2022-ës.