Nga Ministria e Infrastrukturës janë deklaruar lidhur me rrethrrotullimin në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, ku mbrëmë ndodhi një aksident, në të cilin humbi jetën një 21-vjeçar.
Ndërtimi i këtij rrethrrotullimi s’ka qenë në projektin fillestar, e për këtë aksident, janë drejtuar akuza në drejtim të Ministrisë.
Zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se ky rrethrrotullim s’ka qenë devijim i momenteve të fundit dhe se i ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme.
“Jo jo, nuk ka qenë devijim i momenteve të fundit, i ka kaluar krejt procedurat e nevojshme. Prej kërkesave të banorëve, me peticion, protesta ka pasur aty… Komisioni profesional e ka aprovuar dhe ka hyrë në kuadër të projektit. Ky projekt është me kredi”, ka thënë Durmishi.
Ai ka përmendur edhe se mbarëvajtja e punimeve mbikëqyret nga një kompani konsulente, që sipas tij, ka “alamet inxhinierash”.
“Është një kompani ndërkombëtare e cila kujdeset për mbarëvajtjen e punimeve. Është një kompani konsulente, është një kompani mbikëqyrëse që janë alamet inxhinierash aty që mirren me këtë çështje, që kujdesen për kualitetin e të gjitha këto”, ka deklaruar Durmishi për Indeksonline.
Sipas raportimeve të mediave, vetura ka goditur anësoret e vendosura për krijimin e këtij rrethi në mes të rrugës, duke u rrotulluar dhe duke marrë plagë vdekjeprurëse.
Vdekjen e 21-vjeçarit e ka konfirmuar sot Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh. Në raport thuhet se nga pakujdesia, ai ka shkaktuar vetaksident.
“Fsh. Pestovë, Vushtrri 06.11.2024 – 21:45. Vozitësi mashkull kosovar me veturë nga pa kujdesia ka shkaktuar vet-aksident dhe si pasojë e lëndimeve ka vdekur në QKUK. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.