Sunday, October 13, 2024
spot_img

“Vatikani” mysliman shiitë i Edi Ramës dhe Asociacioni orthodoks i Albin Kurtit*

Nga Fadil Lepaja

Është e paqartë se projektin e kujt po zbaton Edi Rama. Duke e shpallur në ‘The New York Times’, padyshim që kërkon të japë idenë se bëhet fjalë për një projekt global, të sponsorizuar nga SHBA. Nga ky medium prestigjioz mësuan pastaj të gjithë për projektin, përfshirë edhe “Baba Mondin” dhe administratën e tij të Bektashinjve globalë. Pasi tashmë e kishte zgjidhur mospajtimin me Presidentin e Turqisë lidhur me udhëheqjen e Komunitetit Musliman Shqiptar, duke ia dorëzuar fuqinë atij, kjo ide e re e Edit hapi shumë debate. Të dhashë islamin lokal, por të mora atë global, sikur i thotë Edi Taipit. Edi nuk i sheh ngushtë gjërat. Një gjë është e sigurt: fjala devijoi sërish në qiell, e problemet e tokës mund të presin.

Tanë, ndodhi që një bashkësi fetare të fitojë shtetin e vet, pa e kërkuar fare, qoftë ai edhe një shtet ceremonial, me një sovranitet mbi gjithsej 11 hektarë. Baba Mondi është shprehur më i befasuar nga të gjithë. Sipas asaj të moçmes se “gomarit të falur nuk i shihen dhëmbët”, ai natyrisht e pranoi dhuratën, ende pa e pasur të qartë përse bëhet fjalë. Por Rama është i vetëdijshëm se përpos se po formon një shtet, po e formëson edhe një model. “A e sheh sa lehtë formohet asociacioni, Albin? Asociacioni, shteti thuaj?

Duke qenë se Kisha Pravosllave (Ortodokse) Serbe ka kërkuar ekstra- territorialitet për kishat dhe manastiret e saj në Kosovë edhe Edi Rama ka kërkuar nga Kosova të përmbushë detyrimet e veta ndaj Marrëveshjes së Brukselit, kjo ide për “Vatikanin” musliman mund të jetë edhe një nga përpjekjet dashamirëse të tij për ta ndihmuar Kryeministrin e Kosovës në “normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. E nxitur nga kjo ide, KOS, mund të kërkojë shtet në mes të Prishtinës, Pejës, apo Prizrenit, në 24 hektarët e saj. Nuk është se Edi ua kujtoi, por ideja e tij për “Vatikanin” në Tiranë, mund ta bëjë që kërkesa serbe të duket legjitime dhe politika kosovare të duket e ngurtë.

Dorën në zemër, Bektashinjtë, si rend i dervishëve, kanë gëzuar respekt dhe kanë luajtur rol në historinë e zgjimit nacional të shqiptarëve. Falë kësaj, kjo organizatë është e fuqishme ndër shqiptarët, dhe është e vetmja që ende nuk ka bërë përpjekje që idenë kombëtare shqiptare t’ia nënshtrojë qendrave të fuqishme ideologjike e financiare islamike, si po veprojnë disa linja të tjera në përpjekje të ri-edukimit social e politik, përkatësisht të a-kulturimit të shqiptarëve.

Pyetja që vetvetiu lind është “Kur mundet Edi, pse jo Albini?” Kur mundet Shqipëria, përse nuk mundet Kosova? Edi e ka hapur zemrën, po e bën një shtet, në krye të cilit do të jetë një krye dervish shqiptar, por më vonë, kur edhe Edi të mos jetë më kryeministër, edhe “Papa” bektashi mund të mos jetë më shqiptar, edhe administrata shtetërore, kështu që Qeveria në Tiranë nuk do të mund të kontrollojë më “Vatikanin” e vet. Në Serbi nën kujdesin e mikut të Edit, Aleksandër Vuçiç ka filluar një lëvizje që shqiptarët të deklarohen si myslimanë dhe Luginën e Preshevës ta bëjnë sikurse Sanxhakun, ku pasardhësit e shqiptarëve të dikurshëm me plisa të bardhë, tash deklarohen si myslimanë.

Më problem se “shteti” i Bektashinjve do të jetë modeli, mbase. Dikur Libani, ishte një shtet me një shumicë të krishtere, por si pasojë e fluksit të refugjatëve të shumtë, palestinezë e shiitë, sot është shndërruar në një shtet ku dominojnë fetë, kryesisht muslimane dhe ku struktura e pushtetit ndjek strukturën e përfaqësimit fetar. Kështu edhe Shqipëria, me fluksin e refugjatëve, duke pasur parasysh numrin aktual të popullsisë, për një kohë të shkurtër rrezikon që shqiptarët të jenë pakicë dhe…të mos njohin vetveten. Lëre fare, sërish na ka zënë në befasi Edi.

Me marrëveshjet për refugjatët dhe me kompromiset “gjeopolitike” të Edit,  kufijtë e Evro-Azisë kanë arritur deri në Durrës, në vend se të ishin në Bosfor ku ishin para se të shpërthente penda turke e ndërtuar me marrëveshjen BE-Turqi për menaxhimin e fluksit të refugjatëve sirian.

Përderisa me luftën në Ukrainë po vendoset kufiri mes Evropës dhe Evro-Azisë dhe ende mbetet e paqartë se ku do të jetë ai, mbetet po aq e paqartë se ku do të jetë ky kufi në Ballkan? Në Bosfor apo në Adriatik, apo mbase në Kaspik? Apo mund të ndodhë, një pjesë e Tiranës deklarohet Evropë, e tjetra Azi ? Duket si Humor i zi?

Si gjithçka deri më sot, as formimi i shteteve, qoftë edhe ceremoniale nuk është çështje dëshirash. Civilizimet po përplasen tashmë në lagjen shqiptare, të pafuqishme për të diktuar drejtimin. “Vatikani” islamik mund të jetë një përpjekje për të marrë rol në këtë tollovi, por mund të jetë edhe një lojë tjetër mediatike e Edit, një përdorimshe. Mund të jetë edhe një mall që e ka marrë përsipër ta shes…

Po shteti i “Bektashinjve”? ‘Nëse qan, do përkundur’, thotë populli!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit