Faqja e përfaqësisë së Ushtrisë së SHBA-së në NATO ka publikuar një njoftim për ushtarët-qytetarë amerikanë të cilët do të marrin rrugën për të shërbyer në Kosovë.
Anëtarë të Gardës Kombëtare të Idahos do t’i bashkohen misionit të KFOR-it në Kosovë dhe para se t’i bashkohen misionit të NATO-s në Kosovë për një vit, ata do të trajnohen në Teksas.

Në njoftimin për ushtarët amerikanë që do t’i bashkohen KFOR-it, misioni i SHBA-së në NATO ka theksuar se siguria dhe stabiliteti i Kosovës dhe rajonit janë të një rëndësie strategjike për NATO-n.
“Siguria dhe stabiliteti i Kosovës dhe i rajonit të Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie strategjike për Aleancën”, ka shkruar Misioni i SHBA-së në NATO.

Për këtë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se njerëzit e Kosovës iu urojnë mirëseardhje ushtarëve amerikanë me zemra të hapura.
“Ne jemi falënderues për shërbimin dhe përkrahjen e çdo amerikani që shërben në vendin tonë dhe përkrah nesh”, ka shkruar Osmani.