Sunday, October 13, 2024
spot_img

Ura e Ibrit mund të jetë porta nga mund të kalojnë koncesionet ndaj politikave ruse në Ballkan!

Shkruar nga Emin Azemi

Disa institucione të BE-së, sidomos diplomacia e BE-së në pamundësi për të ofruar zgjidhje kreative në tejkalimin e problemeve të hapura që ka Kosova me Serbinë, ka zgjedhur rrugën më të shkurtër, por më pak të arsyeshme: të imponojë një narrativ se gjoja Kosova është një shtet i papërfunduar, një shtet që nuk e ka mbyllur procesin e shtet ndërtimit.

Është për të ardhur keq që qytetarët e Kosovës, në vend se të marrin rekomandime nga BE se si t’iu lehtësohet jeta atyre me reforma dhe zhvillim  ekonomik e social, si t’iu afrohen standardeve evropiane në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ata janë të detyruar të dëgjojnë e lexojnë për çdo ditë broçkulla në formë diktati se si Kosova duhet t’i përshtatet kërkesave të Serbisë. Sipas këtij narrativi, nëse Kosova kundërshton idetë bosnjizuese të Serbisë, duhet të ballafaqohet me sanksione shtesë nga BE (!)

Qytetarët e Kosovës bëjnë zgjedhjet e tyre sa i përket se kush do t’i përfaqësoj interesat e tyre, mirëpo nga  Brukseli vijnë thirrje të çuditshme që jo vetëm se nuk janë demokratike, por ato nuk janë as në funksion të zgjedhjes së problemeve .
Ura e Ibrit nuk është në Serbi dhe ajo lidhë dy pjesë të një qyteti në Kosovë, prandaj çdo përpjekje, ndonëse të vonuara, që këto dy pjesë të komunikojnë normal në mes veti, burimin e kanë në vendimmarrje legjitime,  legale , pse jo edhe demokratike.

Kundërshtimi për mos hapjen e Urës së Ibrit për automjete, që vjen qoftë nga BE, qoftë nga Beogradi, qoftë nga eksponentë të caktuar politik e mediatik në Prishtinë, nuk është asgjë tjetër pos një ‘infuzion’ shtesë për të mbajtur gjallë projektin famëkeq “bota serbe”.

Qeveria e Kosovës po bën punën e duhur dhe nuk po shkel kurrfarë konvente as marrëveshje. Përkundrazi, ajo po implementon vendimet e marrëveshjeve paraprake për hapjen e Urës së Ibrit, dhe është skandaloze të dëgjosh zëra që ende mendojnë se Kosova duhet të vazhdojë të sillet si shtet vasal kundrejt sovranitetit të saj. Presioni që i bëhet Kosovës nga diplomacia ndërkombëtare është e paprecedent dhe është pikërisht ky presion që mund ta përkeqësoj  situatën në terren, e jo veprimet legjitime të Qeverisë së Kosovës.   

Me hapjen e Urës së Ibrit nuk po cenohet kurrfarë e drejte e serbëve. Po cenohet vetëm ideja e Beogradit për të bosnjizuar Kosovën, duke e mbajtur atë gjithnjë nën ethet e destabilizimit dhe dezintegrimit.

Të gjithë ata që e kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit, përfshi edhe përfaqësues të caktuar të BE-së, në fakt janë argatë të projektit serb për ta bosnjizuar Kosovën, përmes projekteve enklavizuese, që do ta bënin shtetin e Kosovës sa më pak funksional  dhe sa më shumë burim pasionesh destabilizuese.

Duke e mbështetur Serbinë në përpjekjet e saj për të mbajtur Kosovën sa më të ndarë dhe sa më të fragmentarizuar, këta ithtarë të urave të mbyllura po ia lehtësojnë punët Beogradit dhe Moskës  të shtrijnë ndikimet e tyre anti NATO, anti BE e anti SHBA në këtë pjesë të rajonit.

Të tolerosh Beogradin dhe të shantazhosh Prishtinën, i bie që një pjesë e diplomacisë ndërkombëtare përmes Kosovës qëllimisht synon t’i bëjë koncesione politikave ruse në Ballkan, kurse Ura e Ibrit mund të jetë porta nga mund të kalojnë këto koncesione.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit