Gazeta ka raportuar ekskluzivisht të shtunën për një operacion të Policisë së Kosovës në fshatin Perqevë të Klinës, ku është zbuluar një zonë me 965 bimë kanabisi.
Gazeta raportoi ekskluzivisht se dje u arrestua Silver Qebini nga Tepelena. Policia e Kosovës gjatë së dielës i shpalli në kërkim pesë persona: Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.
Siç u tha në njoftimin e PK’së, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
“Personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në KËRKIM nga Policia e Kosovës nën dyshimin e bazuar se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” vepër kjo e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e PK’së.
Këtë operacion po e udhëheq prokurori Ersan Qavolli.
Cila është e kaluara kriminale e tre Gashëve?
Insajderi merr vesh nga burime të saja se Gzim Gashi është recidivist dhe ka dosje të trashë kriminale. Atij iu janë regjistruar 61 incidente, ku në shumicën e tyre ka qenë i përfshirë si i dyshuar.
Ai ka shënuar incidentet e para penale që nga 2004-a e deri në fund të 2023-ës. Gashi dyshohet për posedim ilegal të armëve, ngacmim, sulm, prerje ilegale e drunjve, lëndim trupor, falsim dokumentesh, prishje e rendit dhe qetësisë, vjedhje, mashtrim, kanosje, sulm ndaj personit zyrtar, grabitje, e shumë e shumë vepra penale.
Ndaj tij janë realizuar 12 urdhër-arreste, ku ndër të tjera është arrestuar edhe për furnizim, transportim dhe prodhim ilegal të armëve.
Në anën tjetër, i dyshuari tjetër Faik Gashi ka regjistruar gjithsej dy incidente: Njërën për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe tjetër për falsifikim dokumentesh.
Ndërkaq, Selim Gashi është hetuar si i dyshuar për nëntë vepra penale në pesë vitet e fundit: shmangie nga tatimi, kanosje, vjedhje, lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, sulmi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ai është edhe përsëritës i disa veprave penale, sikurse është kanosja dhe lëndimi trupor.
Atij iu kishte sekuestruar këtë vit një pistoletë.