Që nga paraditja e së hënës, 42-vjeçari Fahri Ademi vazhdon të jetë në mjekim intensiv në QKUK, pasi u plagos nga të shtënat me armë zjarri gjatë një grabitjeje të armatosur te qendra tregtare “Albi Mall”.
Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, detaje ka dhënë shefi i Klinikës Intensive, Shaqir Uka.
“Pacienti po vazhdon të marrë trajtimin mjekësor në njësinë e mjekimit intensiv, këtu në QKUK. Gjendja e përgjithshme e pacientit në fjalë prezantohet të jetë stabile. Ai vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna, i kyçur për aparatura mjekësore dhe i varur nga aparaturat mjekësore. Vazhdon të jetë i monitoruar 24 orë, vazhdon të marrë trajtimin mjekësor dhe vazhdon të jetë i mbuluar me të gjitha nevojat që ka,” ka thënë Uka.
Tutje, i pari i Intensivës tha se lëndimet e pacientit vazhdojnë të mbesin serioze dhe gjithë stafi mjekësor po vazhdon të bëjë përpjekje të pandërprera që gjendja e tij shëndetësore të stabilizohet.
“Lëndimet janë në pjesën e poshtme të barkut dhe kanë përfshirë edhe pjesën e pasme të shpinës. Pavarësisht që gjendja prezantohet të jetë relativisht stabile, ai ka nevojë për intervenime shtesë kirurgjikale dhe mbajtje nën monitorim e trajtim intensiv. Përderisa është ende në këtë gjendje, nuk mund të themi se kemi një stabilitet të përgjithshëm, dhe edhe më tutje mund të themi që gjendja e tij vazhdon të mbetet e rëndë,” shtoi tutje Uka.
Në po të njëjtën Klinikë qëndron edhe i dyshuari për këtë grabitje, Millosh Vukojeviq, gjendja e të cilit po ashtu vazhdon të jetë e rëndë.
Ndryshe, paraditën e së hënës, katër persona të maskuar, me armë të gjata, e sulmuan në Prishtinë një furgon që po transportonte para të bankave komerciale.
Tutje, prokuroria ka njoftuar se, në bashkëpunim me hetuesit policorë, vazhdon të jetë në kërkim të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë rast.