Liridon Rexhepi, është arrestuar nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Stambollit.
Ai dyshohet si kreu i rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT).
Media turke Anadolu Agency, ka raportuar se, nga informacionet që kanë marr nga burimet e sigurisë, Rexhepi ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi.
Rexhepi, për të cilin është përcaktuar se ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës, mësohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.
MIT ka përcaktuar se të gjitha lëvizjet e Rexhepit, veçanërisht lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, janë monitoruar dhe ai ka bërë transfere të shumta parash për personelin në terren në Turqi nëpërmjet Ëestern Union.
Aktivitetet e tij thuhet se janë monitoruar nga 25 gushti kur ai ka hyrë në Turqi.
Për arrestimin e Rexhepit në Turqi është deklaruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo në një konferencë për media konfirmoi se lidhur me rastin Turqia ka dërguar pyetje me shkrim, gjersa shtoi se bashkëpunimi juridik me këtë shtet është shumë i mirë.
“Së pari Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunim të shkëlqyer me Turqinë… Në të kaluarën e dini rastin e dëbimit të qytetarëve turq nga Kosova, por në përgjithësi bashkëpunimi juridik me Turqinë është shumë i mirë…Ne i trajtojmë kërkesat gjithnjë kur ato janë në përputhje me vendimet e gjykatave, sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve që i kemi. Në këtë drejtim na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë. Por, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes unë kam kërkuar nga drejtori i Departamentit që të më njoftojë vetëm për çështje të cilat mund të njoftohet publiku, prandaj me konsideratë kërkoj që t’ju përgjigjemi me shkrim vetëm për çështjet që na lejohet…”, tha ministrja Haxhiu.
Për këtë është deklaruar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
MPJD ka thënë se për arrestimin e Rexhepit, janë njoftuar nga Ambasada e Kosovës atje.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, ka marrë njoftim nga autoritetet turke për arrestimin e një shtetasi kosovar në Turqi. Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke lidhur me këtë rast. Në lidhje me informacione të reja do t’iu mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së
Për arrestimin e Rexhepit ka folur edhe ish-eprori i UÇK-së, TMK-së, por edhe ish pjesëtar i Policisë Naim Miftari.
Miftari thotë se Rexhepi nuk është agjent e as bashkëpunëtor i Mosadit.
Sipas tij, ai është i pafajshëm.
“Shërbimi sekret turk MIT, të mos bëjë filma dhe telenovela, pasi shqiptari i Ksoovës, Liridon Rexhepi i arrestuar në Stamboll të Turqisë, kinse për spiunazh për Izraelin nuk është as bashkëpunëtorë dhe as agjent i Mosadit, si dhe është sigurt i pafajshëm.”
Miftari tregon se ish kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu në vitin 1999 kur ishte luftë në Kosovë, së bashku me bashkëshorten e tij, i kishte pritur mijëra redugjatë nga Kosova, që kanë ikut pas masakrave dhe vrasjeve serbe.
Ndryshe Miftari, ka vizituar disa herë Izraelin dhe i ka ofruar publikisht shtëpinë e tyer familjare pesë katëshe në Prishtinë pa pagesë për shumë vite nëse nuk gjen shteti izraelit godinë për vendosjen e Ambasadës.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se arrestimi i Liridon Rexhepit në Turqi, i cili dyshohet për menaxhimin e rrjetit financiar të Mossad-it, është një trillim që synon të dëmtojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit.
“Kjo është një trillim i formës klasike që mund të bëjnë shërbimet e caktuara për të prishur raportet mes Kosovës dhe Izraelit. Pra janë tendenca të caktuara, sepse nuk ka mundësi në aspektin edhe shkencor një gjë e tillë të ndodhë. Çështjet janë që ndoshta ka një interes politik, por assesi ndonjë interes që qytetarët e Kosovë të jenë pjesë përbërëse e një aktivitetit të Mosadit”, ka thënë Shala.
Ai ka potencuar se sistemi mikrofinanciar i Kosovës është i unifikuar dhe çdo transaksion i dyshimtë do të diktohej nga autoritetet vendore.
“Nuk është që mund të ndonjë prishje të raporteve me Turqinë, as me Izraelin. Pra është një lojë sipas gjitha gjasave e orkestruar nga vet i pandehuri që tani është në mbajtje nga autoritetet turke. Një e vërtetë është që Kosova nuk ka mundësi të përdoret si hapësirë operative për të kryer në forma të ndryshëm financimin e strukturave inteligjente, sepse sistemi mikrofinanciar i Kosovës është i unifikuar dhe nuk ka mundësi asnjë transaksion i dyshimtë me ndodhë pa u diktuar nga autoritete vendore të Kosovës”, ka deklaruar Shala.