Para Kuvendit të Serbisë është mbajtur tubimi politik treditor me moton “Serbinë nuk do ta japim”, i organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Fjalimi i paralajmëruar i presidentit ishte caktuar për orën 19:00, por jo të gjithë patën interesim të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë presidenti serb.
Në rrjetet sociale janë publikuar video ku shihen kolona qytetarësh që kthehen nëpër urën e Brankos te autobusët e parkuar në afërsi, duke lënë vendin e tubimit para se të niste fjala kryesore e Vuçiqit.
Sipas nova.rs, kjo nuk është hera e parë që qytetarët të cilët janë detyruar dhe shantazhuar të vijnë në mbledhjet e progresistëve largohen para fillimit të takimit. Një tubim i ngjashëm është zhvilluar edhe një ditë më parë.
Presidenti serb më 8 prill bëri thirrje për pjesëmarrje në këtë tubim treditor, i cili do të zgjasë nga 11 deri më 13 prill, duke e promovuar si një nismë në emër të lëvizjes së re politike që ka themeluar, “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin”.