Situatë e tensionuar në oborrin e spitalit të Koçanit, ku familjarët me çdo kusht kërkojnë që t’i marrin kufomat e të afërmve të tyre që kanë humbur jetën në aksidentin tragjik në diskotekën “Puls”.
Dhimbje, trishtim, frikë dhe lot në sytë e familjarëve që prisnin në oborrin e spitalit për të marrë informacione për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre. Në mesin e tyre, Alsat gjeti edhe të mbijetuar të zjarrit, që flasin për tmerrin e përjetuar.
“Të gjithë filluan të vrapojnë drejt daljes. Të gjithë shihnin si ta shpëtojnë jetën. Askush nuk ishte i vetëdijshëm, trupa të djegur. Të gjithë ishin nën stres. Motra ime ka humbur, nuk mund ta gjejmë në asnjë spital…. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe njerëzit shkelën mbi mua”, tha një e mbijetuar.
“Ndodhi me shpejtësi, nuk e mbaj mend si u lëndova dhe si arrita deri në spital.. Kam djegie në kokë dhe nëpër duar.
A ishit mysafir ?
-Për fat të keq po.
A tërhoqët dikën me vete? A ndihmuat apo ju ndihmuan?
Asgjë nuk mbaj mend, vetëm e di se një zjarrfikës më tërhoqi dhe më tej asgjë më nuk di.
-A e dini se në /farë kohe ka ndodhur?
-Mendoj se rreth orës 3 e gjysmë, ashtu disi, gjithçka ndodhi me shpejtësi.
A jeni të lënduar nga turmat apo nga djegiet?
Jo, nga djegiet”, u shpreh një i mbijetuar.
Qytetarët dhe të afërmit shprehen të tmerruar nga kjo fatkeqësi.
“E gjithë Maqedonia është në mërzi, jo vetëm Maqedonia, ngushëllime japin nga të gjitha shtetet. Kjo është tragjedi shumë e madhe, për Koçanin, por edhe për të gjithë rrethinën, ka pasur edhe nga Dellçeva, Vinica, nga fshatrat e Koçanit. Babai ishte tani pak më parë para spitalit, nuk kishin fëmijë për shumë vite”, tha një familjar.
“I biri i një mikut tim punonte sigurim, u helmua me monoksid, merrte pjesë në tërheqjen, thotë se ishte e tmerrshme, do të ju lutem kaq, nuk mundem më tepër”, u shpreh një familjar.
Ndihmë ofroi edhe Kryqi i Kuq. Kryetari, Sait Saiti tha se aktualisht nuk ka nevojë për dhurim të gjakut për pacientët.
“Sa i përket gjakut, për momentin nuk kemi nevojë, rezervat e sistemit shëndetësorë janë të mjaftueshme, nëse ka nevojë eventualisht këtu jemi. Mirëpo për momentin nuk ka nevojë të mobilizohemi për një aktivitet të tillë”, tha Sait Sati, Kryqi i Kuq.
Nga Kryqi i Kuq thonë se në terren do të mbeten edhe në ditët në vazhdim.