Donald Trumpi pas rezultateve të fundit të garës presidenciale në Amerikë sërish do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Bashkë me të, bazuar në rezultatet e votimeve në SHBA mund të kthehet edhe emisari i dikurshëm në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Për fitoren në drejtimin e shtetit, Trumpi ka marrë mesazhe urimi nga mbarë bota, në mesin e të cilave ishin edhe ato nga Kosova.
Por, në vitin 2021, ishte kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale kishte përshëndetur humbjen e Trumpit.
Ajo kishte thënë se as Trumpi dhe as Grenelli, nuk janë interesuar asnjëherë për Kosovën.
“Në Gjermani, Grenelli ka qenë një ambasador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë. Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtura të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet m ë të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika.
“As Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar asnjë herë për Kosovën, ata interesohen vetëm per veten e tyre. Për fat të mirë, Grenelli mbetet vetëm një episod i shkurtër dhe i shëmtuar për vendin tonë“.
“Sa mirë të dish që Grenelli është vetëm një kapitull i së djeshmes dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter. Zoti i ka bekuar Amerikën dhe Kosovën dhe miqësinë e tyre të përhershme”, thoshte Gërvalla.