Presidenti amerikan Donald Trump ka nxjerrë të mërkurën një urdhër ekzekutiv që zgjeron autoritetin e Shtëpisë së Bardhë mbi agjencitë rregullatore të krijuara nga Kongresi si të pavarura.
Me këtë lëvizje, Trump vazhdon përpjekjet e tij për të centralizuar pushtetin presidencial dhe për t’u bërë presidenti më i fuqishëm në historinë e SHBA.
“Kjo është një goditje e rëndë ndaj agjencive të pavarura, modelin e qeverisjes së të cilave Kongresi e ka përdorur që nga vitet 1880”, tha Peter M. Shane, një ekspert i ligjit në Universitetin e Nju Jorkut.
Urdhri i Trump vjen pasi ai hoqi nga puna disa drejtues të agjencive të pavarura, edhe pse ligjet i mbronin ata nga shkarkimet e paarsyetuara mirë para se t’u skadonin mandatet.
Ndër institucionet e prekura janë Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) dhe Bordi Kombëtar i Punës i ShBA-së (NLRB).
Kjo rregullore bazohet në masat e mëparshme për të forcuar autoritetin e presidentit, duke përfshirë iniciativën e Ronald Reganit të vitit 1981, e cila kërkonte që rregulloret e propozuara të dorëzoheshin në Shtëpinë e Bardhë për shqyrtim. Megjithatë, rregullorja e Reganit nuk zbatohej për agjencitë e pavarura.
Administrata Trump po përpiqet të heqë kufizimet ligjore që e pengojnë presidentin t’i shkarkojë krerët e këtyre agjencive para skadimit të mandatit të tyre.
Rregullorja pritet të shkaktojë mosmarrëveshje ligjore dhe ankesa të mundshme në Gjykatën e Lartë.