Presidenti amerikan, Donald Trump, sipas testeve më të fundit mjekësore, gëzon “shëndet të shkëlqyer”, duke përmendur madje edhe “fitoret e tij të shpeshta në ngjarjet e golfit” si dëshmi të kësaj gjendjeje.
Mirëpo, një studim i ri i publikuar në JAMA Network Open ka ngritur shqetësime për një rrezik të mundshëm shëndetësor që lidhet me pasionin e tij për golfin.
Sipas të dhënave të mbledhura nga mbi 5,500 persona, të jetuarit brenda një kilometri nga një fushë golfi shoqërohet me një rrezik 126% më të lartë për zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit, krahasuar me ata që banojnë më shumë se 9 kilometra larg.
Studiuesit vlerësojnë se ky rrezik vjen si pasojë e ekspozimit të mundshëm ndaj pesticideve që përdoren për mirëmbajtjen e fushave të golfit. Kimikatet, sipas tyre, mund të depërtojnë në ujërat nëntokësore apo të përhapen në ajër, duke rrezikuar shëndetin e banorëve në afërsi.
Rreziku është veçanërisht i lartë për personat që përdorin ujë nga burimet nëntokësore, sidomos në zonat ku këto burime janë të ndjeshme ndaj ndotjes.
Edhe pse Trump aktualisht nuk jeton brenda një kilometri nga ndonjë fushë golfi, rezidenca e tij në Mar-a-Lago ndodhet rreth 4 kilometra nga Klubi Ndërkombëtar i Golfit Trump në West Palm Beach. Ai gjithashtu kalon kohë në disa prej resorteve të tij të golfit në vende të ndryshme të botës, përfshirë Aberdeen në Skoci dhe Colts Neck në New Jersey.
Ekspertët nënvizojnë se lidhja mes afërsisë me fushat e golfit dhe rrezikut të Parkinsonit është vetëm korrelative dhe nuk vërteton shkakësi.
“Shumë studime kanë hetuar nëse pesticidet rrisin rrezikun e zhvillimit të Parkinsonit në popullata të ndryshme anembanë botës”, ka deklaruar Katherine Fletcher, autorja kryesore e studimit.
“Rezultatet kanë qenë të ndryshme, por në përgjithësi sugjerojnë se ekspozimi ndaj pesticideve mund të rrisë rrezikun e gjendjes. Megjithatë, provat nuk janë mjaft të forta për të treguar se ekspozimi ndaj pesticideve shkakton drejtpërdrejt Parkinson”, theksoi ajo.
Në përfundim, ekspertët këshillojnë uljen e rrezikut përmes një stili jetese të shëndetshëm, që përfshin ushtrime fizike dhe ushqim të balancuar – çka përjashton ushqimet e shpejta nga dieta.