Shkruar nga Federico Fubini
Administrata e Donald Trump ka kapitulluar, duke mos arritur asgjë. Kështu mendon profesori i Universitetit të Harvardit, Kenneth Rogoff, ish-kryeekonomist i Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe autor i librit më të fundit “Perandoria e Dollarit”.
Kenneth Rogoff
Në këto kushte, i ndikuar nga ecuria e dobët e tregjeve, presidenti amerikan Trump po kërkon një mënyrë për t’u tërhequr nga politikat e pamenduara që ka ndjekur në muajt e parë të mandatit të tij të dytë.
Dollari po e merr veten pas marrëveshjes së parë me Kinën për tarifat. A ka besim tek ekonomia amerikane?
Tani situata është pozitive. Po bie mundësia e një recesioni, dhe kjo është pozitive për dollarin. Por unë mendoj se vlera e dollarit është ende shumë e lartë dhe ka të ngjarë të bjerë më tej. Do të habitesha nëse nuk do të shihnim në të ardhmen një normë këmbimi prej 1.20 ose ndoshta edhe 1.30 për 1 euro ose më shumë. Dollari është mbivlerësuar edhe në raste të tjera në të kaluarën, por administrata Trump e ka përshpejtuar rënien e tij.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Kinezët nuk kanë nevojë që t’u thuhet dy herë se duhet të largohen nga monedha amerikane. Tani evropianët tani janë të detyruar të militarizohen, gjë që është ndoshta dobësia më e madhe e euros si monedhë ndërkombëtare. Trump i ka përshpejtuar këto tendenca, por ato ishin tashmë duke u zhvilluar. Kamala Harris mund ta kishte arritur të njëjtin rezultat por në një mënyrë tjetër. Mendoj se ajo ishte një kandidate shumë e dobët.
Cilët faktorë themelorë i siguruan monedhës amerikane rolin e saj, dhe që tani janë në pikëpyetje?
Besueshmëria e sundimit të ligjit, aftësia për të ruajtur ose jo pushtetin e butë, fuqinë për t’i detyruar të tjerët të duan atë që dëshiron Amerika. Nuk është vetëm çështje tarifash. Por hapja ndaj tregtisë, ndaj globalizimit financiar, universitetet amerikane dhe fuqia e tyre tërheqëse janë shtyllat e dollarit në botë.
Çfarë e shtyu administratën Trump të kapitullonte para Kinës, siç e theksoni edhe ju?
Një nga gjërat e mira të Trump, është se ai është pragmatik. Kur diçka nuk funksionon, kërkoni një rrugëdalje. Ai e bëri këtë në mandatin e tij të parë dhe sërish tani. Ai s’duhej të priste të paralajmërohej dy herë nga tregjet për idiotësinë e politikave të tij. Nga këndvështrimi i Evropës, problemi është se Trumpit mund t’i besohet.
Sepse ai ishte njeriu që firmosi një marrëveshje me Kanadanë dhe Meksikën 4 vjet më parë, dhe tani i ka anuluar ato. Por unë nuk mendoj se problemi është vetëm Trump, por Shtetet e Bashkuara. Ne e zgjodhëm atë, dhe mund të zgjedhim një tjetër si ai. Kjo arrogancë është tipike e Amerikës, dhe nuk do të zhduket.
A mendoni se e gjithë kjo pasiguri do të ngadalësojë investimet e biznesit?
Një nga gjërat e shkëlqyera të Shteteve të Bashkuara është se nëse blini diçka, atëherë është e juaja. Ne nuk ua marrim vetëm sepse jeni italian ose nga diku tjetër. Për sa kohë që respektoni ligjet dhe rregullat tona, ne nuk do t’i ndryshojmë ato papritur dhe arbitrarisht. Nuk po them se është ndryshe në Itali, por kjo ka qenë një traditë e gjatë në Shtetet e Bashkuara.
Por tani, me modelin e një qeverie të fortë dhe favorizimit në pushtet, nuk mund të kesh më besim. Nuk je më aq i sigurt sa dikur. Nuk e di nëse do të tatohesh apo do të penalizohesh në një mënyrë të veçantë sepse je italian apo diçka tjetër. Nuk është fundi i botës, por kjo pasiguri minon një nga pikat e forta të mëdha të Shteteve të Bashkuara.
Është e habitshëm fakti që Trumpi as që përpiqet ta fshehë pasurimin e tij personal falë zyrës së tij. Dhe po ia hedh paq…
Ky është problemi më i rëndësishëm. Mendoj se Trump do të humbë rëndë në zgjedhjet e mesit të mandatit, dhe ndoshta në Kongres do të nisin gjyqet kundër tij për shkarkim. Por ato nuk mund të ndodhin tani. Dhe a e dini pse? Sepse kongresmenët republikanë kanë frikë se nëse dalin kundër tij do të humbasin vendet e tyre.
Ndërkohë, defiçiti publik është mbi 200 miliardë dollarë mbi nivelet e një viti më parë, afër 7 për qind e PBB-së…
Në fakt nuk ka asnjë plan për të zvogëluar deficitin buxhetor, por tregjet e obligacioneve nuk do të jenë kaq tolerante. Është e sigurt se do të kemi probleme gjatë viteve të ardhshme. Rendimenti i bonove të thesarit të SHBA-së është tani rreth 4.4 për qind. Por mendoj se vitet e ardhshme ka më shumë të ngjarë t’i shohim në 5 ose 6 për qind, sesa 3 ose 3.5 për qind.
Pas sa vitesh?
Në librin tim shkruaj pas 5 ose 7 vitesh, por tani mendoj për dy. Do të ndodhë ndërsa Trump është ende në Shtëpinë e Bardhë. Do të shohim inflacion, krizë financiare. Nuk është e vështirë të imagjinohet që Trump të synojë të kontrollojë çmimet ose flukset e kapitalit. Dhe njerëzit që besojnë vërtet se pavarësia e Rezervës Federale mbrohet nga Kushtetuta, mund të detyrohen të mendojnë sërish këtë gjë.
Çfarë këshille keni për Evropën, teksa po afrojnë negociatat me Trump mbi tarifat?
Të ruajë qetësinë, të mos reagojë me nxitim dhe të ndjekë parimet e saj. Përulja ndaj Trumpit, kjo do të ishte një gabim. Sepse ai e respekton forcën. Do ta përshkruaja si një lojtar shahu në kafene, të aftë dhe agresiv ndaj kundërshtarëve të dobët. Por kundërshtarët e fortë që dinë të mbrohen dhe kundërsulmojnë, arrijnë gjithmonë të fitojnë. Kina nuk u përul dhe ai nuk mori asgjë nga ajo. Dhe do të marrë shumë pak edhe nga Evropa.