Sot, gazeta prestigjioze zvicerane «Tribune de Genève» ka publikuar një shkrim të kryeredaktorit të gazetës zvicerane në shqip LeCanton27.ch, Nefail Maliqi, me titullin «Kosova viziton Zvicrën» (Le Kosovo visite la Suisse), që trajton vizitën e Presidentes së Kosovës në Zvicër.
Shkruan: Nefail MALIQI
Kryeredaktor i gazetës zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Me ardhjen në pushtet të Qeverisë së Albin Kurtit, situata në Kosovë ka ndryshuar për të mirë. Nuk ka më tensione apo protesta të serbëve si më parë, por serbët në veri të Kosovës, njësoj si shqiptarët në Serbi (në Luginën e Preshevës), që ndihen të diskriminuar, kërkojnë më shumë të drejta. (Bien que l’arrivée au pouvoir d’Albin Kurti ait contribué à apaiser les tensions et à réduire la fréquence des protestations serbes, les Serbes du nord du Kosovo et les Albanais de la vallée de Presevo en Serbie, qui se disent victimes de discrimination, demandent davantage de droits.)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Zvicër. Ajo diskutoi me presidenten zvicerane Karin Keller-Sutter mbi marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike, çështjet e sigurisë dhe migracionit, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe praninë zvicerane në Kosovë, e cila shpeshherë quhet «kantoni i 27-të» nga gazeta zvicerane në gjuhën shqipe «Le Canton27.ch».
Për presidenten e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, Kosova nuk është një vend i panjohur, pasi ajo e ka vizituar rajonin në vitin 2009. Në vitin 2008, Zvicra ishte ndër vendet e para që e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Që nga viti 1999, Zvicra ka marrë pjesë me Swisscoy në misionin paqeruajtës ndërkombëtar KFOR. Numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën ka arritur në 119.
Kosova këtë vit ka festuar 17-vjetorin e pavarësisë, e njohur nga 115 vende të botës, përfshirë SHBA-në, Zvicrën dhe vende të tjera evropiane, por jo nga Serbia. Në këtë kontekst tensioni, komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-të dhe vendet evropiane, po ushtrojnë presion mbi Beogradin dhe Prishtinën për të arritur një marrëveshje në Bruksel.
Në vitin 1999, agresioni i Serbisë ndaj Kosovës çoi në një rritje të madhe të numrit të shqiptarëve në vendet evropiane, përfshirë Zvicrën. Në ato vite, Zvicra strehoi rreth 150,000 kosovarë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin refugjatë nga regjimi serb. Sot, autoritetet zvicerane raportojnë për një dyfishim të këtij numri. Gjatë luftës, Zvicra priti 60,000 refugjatë kosovarë, të cilët më pas u kthyen në vendin e tyre me dëshirën e tyre, pasi Berna e ka renditur Kosovën në listën e «vendeve të sigurta».
Christoph Freymond nga Zyra Federale e Statistikave në Bernë ka deklaruar për gazetën zvicerane në shqip LeCanton27.ch: “Numri i shqiptarëve në Zvicër është rritur ndjeshëm, më shumë se çdo komunitet tjetër. Çdo vit, qindra prej tyre natyralizohen dhe marrin nënshtetësinë zvicerane”.
Për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve nga Ballkani, gjuha shqipe në Zvicër ka tejkaluar portugalishten, duke u renditur si gjuha e huaj më e folur pas anglishtes. Aktualisht, 3.4% e popullsisë është shqipfolëse dhe 6.1% anglishtfolëse. Sipas z. Freymond, në Zvicër jetojnë mbi 300,000 shqiptarë që identifikohen si albanofonë, ndër të cilët 160,000 janë nga Kosova.
Sipas gazetës LeCanton27.ch, Zvicra «de facto» numëron rreth 400,000 shqiptarë, duke përfshirë përveç kosovarëve edhe ata nga Maqedonia e Veriut (mbi 100,000), Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Në Davos këtë vit është nënshkruar një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Zvicrës (EFTA) dhe Kosovës në prani të Këshilltarit Federal Guy Parmelin dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Zvicra është sot investitori i dytë më i madh në Kosovë. Që nga viti 1998 ka ofruar ndihmë të konsiderueshme për Kosovën – mbi 500 milionë franga zvicerane – dhe mbetet partneri i tretë bilateral i zhvillimit të Kosovës,” ka deklaruar ambasadori zviceran në Kosovë në një intervistë për LeCanton27.ch.
Tregtia mes Zvicrës dhe Kosovës, që ka arritur në rreth 140 milionë franga në vitin e fundit, ka potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm. Për periudhën 2022-2025, Zvicra ka ndarë rreth 86 milionë CHF për Kosovën, të fokusuara në qeverisjen demokratike, paqen, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndryshimet klimatike, ujin dhe shëndetin.
Zvicra mbetet vendi më i vizituar nga krerët e shtetit të Kosovës. Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, ish-presidentja e Zvicrës, Viola Amherd, vizitoi Kosovën në shtator 2022, ndërsa kryeministri Kurti u prit në Pallatin Federal në Bernë nga Presidenti i Federatës së Zvicrës, Alain Berset, në shtator 2023.
Ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës është thelluar përmes një sërë takimesh mes liderëve të të dyja vendeve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Bernë dhe Davos, përfshirë takime me Guy Parmelin, Eric Nussbaumer, Beat Jans, Alain Berset e të tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani, pas pjesëmarrjes në Bürgenstock, do të zhvillojë të mërkurën e ardhshme një vizitë tjetër në Bernë, e dyta me radhë brenda pak kohe. Edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka vizituar Zvicrën dy herë. Prania e madhe e kosovarëve në Zvicër ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin e Kosovës, por edhe në politikën e brendshme si të Zvicrës, ashtu edhe të Kosovës.
Duke marrë parasysh numrin e madh të komuniteteve të huaja që jetojnë në Zvicër, shqiptarët ndihen të privilegjuar që busti i heroit kombëtar Skënderbeu qëndron në Gjenevë dhe ai i Nënë Terezës në Lozanë. Për të thelluar këtë bashkëpunim të shkëlqyer midis dy vendeve, gazeta LeCanton27.ch propozon: pse të mos ngrihet një bust i heroit zviceran William Tell në Prishtinë, si mirënjohje për gjithë ndihmën që Zvicra i ka dhënë Kosovës?
Festa kombëtare e Zvicrës, më 1 gusht, festohet edhe nga shqiptarët e Kosovës. Në Prishtinë dhe qytete të tjera, krahas flamujve të Kosovës dhe Shqipërisë, valëvitet edhe flamuri zviceran. Aktualisht, mbi 700 shtetas zviceranë jetojnë dhe punojnë në Kosovë, përfshirë stafin e Ambasadës në Prishtinë dhe 235 ushtarët e Swisscoy, që kujdesen për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Duket se znj. Calmy-Rey, ashtu si autoritetet dhe mediat e tjera zvicerane, kishin arsye të forta për ta quajtur Kosovën «Kantoni i 27-të» i Zvicrës – emër që ne e kemi marrë edhe për gazetën tonë.
Gazeta zvicerane online LeCanton27.ch është e vetmja media në gjuhën shqipe në Zvicër që synon integrimin e shqiptarëve dhe promovimin e sukseseve të tyre, të dukshme çdo ditë jo vetëm në futboll (me Xherdan Shaqirin…), por edhe në biznes, kulturë dhe madje në politikë.