Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me aksionet e fundit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Ai ka theksuar se çdo veprim duhet të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë për të shmangur pasojat e padëshiruara.
Hargreaves theksoi rëndësinë e minimizimit të ndikimit negativ te qytetarët serbë që jetojnë në atë zonë.
“Kur flasim për veprimet në veri, nuk është sekret që ne dhe partnerët tanë evropianë dhe SHBA-ja kemi qenë të brengosur për aksionet e ndërmarra atje. Kisha thënë tri gjëra: koordinohu, negocio dhe zbute”, tha ambasadori.
Ai shpjegoi se koordinimi me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për të siguruar që ata të mos kapen në befasi.
Po ashtu, ai theksoi se negociatat janë mënyra më e mirë për të adresuar çështjet që lidhen me institucionet e financuara nga Serbia, veçanërisht në veri, duke kërkuar një integrim të qëndrueshëm brenda sistemit kosovar.
Hargreaves gjithashtu nënvizoi se çdo veprim i ndërmarrë duhet të ketë një ndikim sa më të ulët tek qytetarët serbë, të cilët, sipas tij, duan një jetë paqësore dhe të sigurt në Kosovë.
“Siguria e Kosovës dhe e qytetarëve të saj garantohet në një masë të madhe nga prania e KFOR-it, rol të cilin ne e mbështesim plotësisht dhe që do të vazhdojë të jetë thelbësor për stabilitetin e vendit”, përfundoi ambasadori britanik.