Një ndejë private në Shtërpcë, javën që shkoi, ku i pranishëm ishte edhe Nenad Rashiq, u manifestua me ngritjen e tre gishtave gjatë pozimit për fotografi. Veprimin me simbolin “problematik” serb e bëri edhe vetë Ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë në detyrë Kurti II.
Fotografinë e Ministrit në detyrë, Nenad Rashiq, ku ai shihet bashkë me një person tjetër duke i ngritur tre gishtat.
Fotoja në fjalë ishte publikuar në rrjetet sociale, por më pas “u zhduk”.
Bazuar në fotografitë tjera të publikuara në Facebook, festa me mish e raki ku u shkrep edhe kjo me Rashiqin me tre gishtat lart, u zhvillua më 5 qershor 2025, në një ndejë në një restorant në Shtërpcë.
Simboli i tre gishtave të ngritur zakonisht gishti tregues, gishti i mesëm dhe gishti i madh është një gjest i njohur në kulturën serbe dhe ka kuptime të ndryshme në kontekste të ndryshme, si historike, fetare dhe politike.
Ndonëse në gjenezë ka qenë gjest që lidhet me besimin ortodoks dhe simbolizonte “Trininë e Shenjtë” (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë), gjatë viteve ’90, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, kuptimi i këtij simboli ndërroi rrënjësisht dhe mori konotacion të rrezikshëm nacionalist, politik e shovinist.
Simboli i tre gishtave u përdor gjatë fushatave nacionaliste serbe, veçanërisht nga forcat ushtarake dhe paramilitare gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje, duke u shndërruar në simbol të nacionalizmit serb dhe shpesh u perceptua si provokim nga shqiptarët, kroatët, boshnjakët dhe të tjerë që vuajtën nga agresioni serb në rajon.
Për më tepër edhe politikanë serbë, si krimineli serb i dënuar nga Haga, Vojislav Sheshel, jo rrallë herë e përdornin këtë simbol si formë nxitje të tensioneve dhe propagandës, duke i ngritur lart tre gishtat publikisht në mitingje, fjalime dhe para kamerave, shpesh gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe gjatë luftës në Kosovë.
Ky simbol edhe sot shpesh shihet në stadiume, protesta, ose manifestime nacionaliste serbe.
