Një burrë 30-vjeçar është akuzuar për tetë akuza për vrasje të shkallës së dytë, pasi një automjet përplasi një turmë njerëzish gjatë një festivali rrugor në Vankuver, Kanada, duke lënë të paktën 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Kai-Ji Adam Lo, banor i qytetit, u paraqit në gjykatë të dielën vonë dhe u rikthye në paraburgim, njoftoi Departamenti i Policisë së Vankuverit, duke shtuar se priten edhe akuza të tjera, raporton BBC.
Shefi i përkohshëm i policisë, Steve Rai, e përshkroi sulmin gjatë festivalit “Lapu Lapu Day” — ku morën pjesë deri në 100 mijë persona — si “ditën më të errët në historinë e qytetit”.
Identitetet e viktimave ende nuk janë bërë publike, por policia njoftoi se moshat e personave të vrarë varionin nga 5 deri në 65 vjeç.
Policia bëri të ditur se i dyshuari ishte i njohur për ta edhe para sulmit, por përjashtoi një motiv ekstremist, duke theksuar historinë e problemeve mendore të Kai-Ji Adam Lo.
Organizatorët e festivalit vjetor “Lapu Lapu” thanë se komuniteti filipinas i Vankuverit, i njohur për lidhjet e ngushta mes anëtarëve të tij, është në zi, dhe se pasojat e këtij sulmi tragjik do të ndihen për shumë vite.
Sulmi ndodhi rreth orës 20:14 me orën lokale të shtunën (03:14 GMT) në kryqëzimin e East 43rd Avenue dhe Fraser Street, në jug të Vankuverit.
Disa dëshmitarë okularë përshkruan momentin tronditës kur një automjet SUV me ngjyrë të zezë përplasi turmën gjatë sulmit të së shtunës.
“Një makinë kaloi përgjatë gjithë rrugës duke goditur këdo që ishte përpara,” tha për Associated Press banorja lokale, Abigail Andiso.
“Pashë një trup pa jetë, një burrë i shtrirë në tokë, dhe u nisa drejt fundit të rrugës, aty ku përfundoi makina. Atje kishte edhe më shumë të plagosur, dhe mund të shihje menjëherë rreth… ndoshta 20 persona të shtrirë, ndërsa gjithçka përreth ishte panik, të gjithë bërtisnin,” rrëfeu ajo.