Wall Street Journal (WSJ) raportoi se Irani ka sinjalizuar urgjentisht dëshirën për t’i dhënë fund armiqësive me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, duke propozuar rifillimin e bisedimeve mbi programin e tij bërthamor.
Sipas raportit, i cili citon zyrtarë të paidentifikuar, Teherani ka përdorur ndërmjetës arabë për të përcjellë mesazhe drejt Uashingtonit dhe Jerusalemit, duke shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog diplomatik me qëllim uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara lidhur me programin e tij bërthamor.
Ky vendim ende i pa konfirmuar zyrtarisht, vjen në një moment tensionesh të larta mes Iranit dhe Izraelit, të cilët kanë shkëmbyer sulme ushtarake për disa ditë rresht, duke përfshirë sulme ajrore izraelite ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, si dhe kundërpërgjigje me raketa dhe dronë nga ana e Iranit.
Sipas WSJ dhe burimeve të tjera, sulmet izraelite kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake dhe energjetike të Iranit si dhe duke dobësuar mbrojtjen ajrore të vendit gjë që ka bërër liderët e Iranit të ndryshojnë mendim.
Kujtojmë se bisedimet bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërmjetësuara nga Omani, u ndërprenë për shkak të këtyre sulmeve. Një raund i gjashtë i planifikuar i negociatave, që do të mbahej të dielën, u anulua pas sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se bisedimet bërthamore janë “të pajustifikuara” pas sulmeve izraelite dhe akuzoi SHBA-në për mbështetje të drejtpërdrejtë të këtyre sulmeve, pavarësisht mohimeve nga Uashingtoni.