Familjet Hoti dhe Bullaku në Klinë u përfshinë në incidentin e mbrëmshëm, ku u plagosën katër persona, një nga arma e zjarrit e tre të tjerë me mjete të forta. Dy anëtarë të familjes Hoti janë arrestuar lidhur me rastin dhe ndaj tyre tashmë është lëshuar urdhri për ndalim.
Të dyshuarit janë Burim Hoti nga fshati Jashanicë dhe një familjar i tij, ndërsa viktimat janë katër vëllezërit Bullaku, Samir dhe Nezir Bullakut, si dhe dy të tjerë.
Motivi që çoi deri te konflikti me armë akoma nuk dihet, por që Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur hetimin.
Lidhur me rastin, ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
“Lidhur me këtë çështje dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri ku në vendin e ngjarjes ka dal Policia e Kosovës, ku në vendin e ngjarjes ka dal menjëherë Policia e Kosovës ku ka hasur në njërën nga viktimat. Ku më pas në spitalin Rajonal të Pjesë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë duke u trajtuar edhe tre persona të tjerë, ndërkaq personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një punë operative policore intensive janë lokalizuar dy personat e dyshuar dhe më pas janë arrestuar dhe të njëjtit pas intervistimit nga hetuesit në praninë e avokatëve mbrojtës me urdhër të prokurorit të shteti janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi.
“Është fazë shumë e hershme për të folur për dyshimet. Ajo çka është relevante është se dy persona i kemi në procedurë penale dhe njëkohësisht janë duke u trajtuar viktimat dhe ku me pas do të intervistohen, do të intervistohen edhe personat e mundshme të tjerë që mund të kenë informata dhe gjithashtu do të sigurohen provat që do të shërbejnë në procedurë penale”, ka thënë ai.
Nga Policia kanë bërë me dije se me rastin e arrestimit janë sekuestruar një armë, një mjet i mprehtë, dy gëzhoja, disa fishekë dhe karikator.