Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara ka thënë se nuk do të dëshmojë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë derisa të shfaqet një dokument në të cilin “jam përshkruar si tradhtar i kombit”.
Tara, i njohur me emrin e luftës Komandant Hoxha, ka kërkuar që të shfaqet dokumenti ose do të refuzojë të përgjigjet në pyetjet e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Sipas Tarës, në dokument flitet për të si tradhtar i kombit dhe i UÇK-së.
“Në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit, i UÇK-së, dhe popullatës së larguar nga Kosova, unë nuk do të jap asnjë njohuri pa u pastruar komandant Hoxha. Prej këtij momenti nuk flet asgjë. Seanca do të mbyllet, unë asnjë përgjigje nuk do të jap”, tha ai.
Gjykatësi Charles Smith tha se është e rëndësishme që ai të dëshmojë.
“Ne duam ta dëgjojmë këtë nga goja juaj, sot. Është shume e rëndësishme kjo. Është shumë e rëndësishme për ne që ne të jetojmë”, tha Smith.
Tara tha se shfaqja e dokumentit të cilin e kërkon, është jetik për të.
“Mbas shqyrtimit të këtij problemi tim, që është jetik. Mua më janë rrezikuar e gjithë familja dhjetë anëtarëshe, z. Gjykatës”, tha Tara.
Tara insistoi se nuk do të flasë pa e parë dokumentin.
“Kam pranuar të flas deri më tash, por të njëjtën ia kam bërë me dije edhe Prokurorisë që unë nuk flas fare deri të zgjidhet ky problem”, tha ai.
Prokurorja e rastit i premtoi atij se do t’ia tregojë dokumentin “sapo të përfundojë” temën aktuale.