Një incident me armë zjarri ka ndodhur sonte rreth orës 22:30 në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Gazeta se të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa hetuesit policorë po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit.
Sipas policisë, i dyshuari për ngjarjen tashmë është identifikuar dhe po kërkohet nga autoritetet.
Ende nuk dihen motivet e sakta të sulmit, ndërsa policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe po mbledh prova për të ndriçuar rrethanat e rastit.
Gazeta do të ju mbajë të informuar për zhvillimet e mëtejshme.