Policia e Kosovës ka dhënë detajë në lidhje me kërcënimet ndaj kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, duke thënë se ato ka ndodhur përmes rrjeteve sociale.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se Zeqiri është fyer dhe kanosur nga një person, derisa thuhet se rasti është duke u hetuar.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se përmes rrjetit social, një person i panjohur dyshohet i nacionalitet serb, e ka fyer dhe kanosur. Rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante policore”, thuhet në raport.
Ndërkaq, tashmë edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka nisur hetimet për këto kërcënime.
“Është njoftuar prokurori, ka udhëzuar që të hapet rast për veprën penale “Kanosja” dhe tashmë ka nisur hetimet bashkë edhe me policinë”, ka thënë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni për Klankosova.tv.
Për Klankosova.tv ka folur edhe vet Zeqiri, duke treguar për hapat që ka ndërmarrë pasi është kërcënuar.
“Unë jo që frikësohem, por meqenëse ai ka vazhduar me kërcënime e kam lajmëruar në polici. Me rastin po merret policia”.
“Hetimet po vazhdojnë. Kur e kam denoncuar në rastin e parë, kam pranuar informacione nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Kibernetike, se është dikush që po e bën këtë nga jashtë, domethënë nuk është në Kosovë”, është shprehur ai.