Të premten Gjykata Speciale do të shpallë urdhrin për zhdëmtim të viktimave në rastin e Pjetër Shalës. Si problematikë konsiderohet se do të jetë shuma që do të caktohet nga trupi gjykues.
Në fund të kësaj jave do të nxirret nga Gjykata Speciale, urdhëri i dytë për zhdëmtim të viktimave.
Ky vendim do të jetë për tetë viktimat pjesëmarrëse në gjyqin për krime lufte ndaj Pjetër Shalës.
Pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për mospjesëmarrje, është vendosur që në shpalljen e këtij urdhëri, të jetë prezent edhe vet Pjetër Shala.
Duke qenë se rasti i Shalës është në apel, ka dyshime për ecurinë e procesit të zhdëmtimit.
“Në rastet kur ka një ekspertizë, vendoset në shkallën e parë. Është për t’u çuditur fakti se kemi një aktgjykim dhe është dashur të lëshohet urdhëri paraprakisht aktgjykimit. Zakonisht kur nuk kryehet në procedurën e gjykimit dhe nuk mbahet një seancë dëgjimore, atëherë pritet derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm”, tha avokati Kadri Osaj.
Problematikë për mbulueshmëri, konsiderohet se janë udhërat për zhdëmtim, si për shtetin edhe për personin e akuzuar.
“Ata kanë pretendime shumë më të larta, të cilat pothuajse janë të papërballueshme për buxhetin e Kosovës dhe janë të padrejta, aq më parë se viktimat të cilët e kanë fituar statusin e viktimës edhe në Tribunalin e Luftës për në Jugosllavi që kanë qenë ushtarë nuk janë kompensuar. Pra, po bëhet një diskrimin në trajtimin dhe kompensimin e viktimave“, tha Behxhet Shala nga KMDLNJ.
Vendimi i parë për zhdëmtim ishte në rastin e Salih Mustafës, i cili u urdhërua të paguaj 207 mijë euro kompensim për dënimin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat ai u shpall fajtor.