Taulant Xhaka është dënuar me një ndeshje suspendim nga Liga e Futbollit të Zvicrës, pas sjelljes së tij gjatë festimeve të Baselit për titullin kampion, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky dënim, i bërë publik të premten, nënkupton se mesfushori me përvojë do të mungojë në ndeshjen e së dielës ndaj Young Boysit, por do të jetë i gatshëm për sfidën përshëndetëse ndaj Luzernit, që do të zhvillohet javën e ardhshme.
Xhaka u ndëshkua për fyerje të drejtuara ndaj Zurichut dhe Grasshopperit, gjatë festës së organizuar pas sigurimit të titullit. Përveç suspendimit, ai është gjobitur me 7,500 euro dhe i është caktuar të kryejë edhe shërbim për komunitetin në të mirë të futbollit.
Ky edicion shënon fundin e karrierës së Xhakës, i cili prej javësh nuk është aktivizuar me ekipin e parë të Baselit.