Ish-komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, i njohur si komandant Hoxha, ka ngritur shqetësime mbi një dokument të paraqitur nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke thënë se nuk e ka parë dhe nuk e ka nënshkruar kurrë atë.
Tara ka theksuar se dokumenti në fjalë, i datuar në vitin 2019, përmban intervista të tij që ai i kishte dhënë në atë kohë.
Megjithatë, ai thekson se në dokument përmendet edhe një takim i supozuar me një punëtore të UNMIK-ut në vitin 2001, të cilin ai e mohon kategorikisht.
“Unë nuk e kam parë kurrë atë dokument dhe nuk e kam nënshkruar. Kam kërkuar të ma sjellin, por nuk e kanë bërë. Nëse ky dokument del në opinion, ai mund të përdoret nga armiqtë jo vetëm të UÇK-së, por edhe të shtetit tonë,” ka thënë Tara.
Ai e konsideron këtë dokument një rrezik serioz për Kosovën, duke pohuar se ai mund të përdoret për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës.
Sipas Tarës, ky dokument është nënshkruar nga hetuesit e tij në Hagë dhe mund të shpërndahet lehtësisht, duke u keqpërdorur për qëllime politike dhe juridike kundër Kosovës.
“Ky dokument është fshehur dhe tani është shfaqur papritur. Mua më kanë përshkruar si tradhtar i kombit, por ajo që më shqetëson më shumë është se ky dokument rrezikon pavarësinë e Kosovës,” ka deklaruar ai.