Trajneri i klubit të futbollit Llapi, Tahir Batatina është dënuar me 600 euro gjobë nga gjykata për kanosjen e gjyqtarit Genc Nuza.
Një aktgjykim i gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Shala-Abdyli e ka shpallur Batatinën fajtor për veprën penale të kanosjes.
Sipas aktgjykimit, të nxjerrë më 31 dhjetor të vitit 2024, Batatina është dënuar me gjobë prej 600 eurosh të cilën është i obliguar ta paguajë në afat prej 31 ditësh.
Rasti ka të bëjë me një incident në një ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll në gusht të vitit 2024.
Gjyqtari, i cili mban stemën e FIFA-s, tha sot në një shkrim në profilin e tij në rrjetet sociale se të martën e pranoi aktgjykimin për rastin të cilin e kishte denoncuar muaj më parë.
“Gjykata e ka cilësuar si fajtor personin që ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj meje gjatë ushtrimit të detyrës sime zyrtare si gjyqtar futbolli”, tha Nuza.
Nuza tha se gjithmonë do t’i drejtohet organeve të sigurisë për raste të tilla.
“Pavarësisht dënimeve që shqiptojnë organet e drejtësisë, ju siguroj se për çdo sulm, kërcënim, akuzë dhe shpifje ndaj meje dhe familjës time, gjithmonë do t’i drejtohem organeve të drejtësisë”, tha ai.
Ky është një nga rastet e rralla, në mos i pari, në të cilin një trajner i një klubi futbolli në Kosovë dënohet nga gjykata për incidente brenda fushës së blertë.