Një konflikt ku u përfshinë një i moshuar dhe një i mitur në Suharekë eskaloi në kanosje dhe për pasojë i dyshuari u arrestua. I njëjti u kap me armë pa leje dhe si rezultat ndaj tij ka nisur hetimi.
Rasti ka ndodhur së fundmi dhe tashmë Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Sipas burimeve i dyshuari 78-vjeçar, më 22 mars, në rrugën “Destan Bajraktari” në Suharekë, ka kanosur verbalist viktimën, pas një mosmarrëveshje. Si rezultat i denoncimit, ai është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti për “Kanosje”.
Por, nuk mbaroi me kaq sepse edhe pas lirimit, i njëjti e ka kanosur sërish të miturin, me ç’rast Policia e zbuloi se i dyshuari posedon armë pa leje.
Sot, njësitet policore kanë shkuar në shtëpinë e tij, ku familjarët kanë dorëzuar vullnetarisht një pushkë gjuetie me disa fishekë.
I dyshuari është intervistuar sërish dhe ka deklaruar se arma është e tij dhe se e kishte blerë pas luftës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti edhe për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.