Suedia nuk e ka pritur mirë lajmin për fitoren me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Rumanisë ndaj Kosovës.
Suedezët kanë plotësisht të drejtë për faktin se një fitore e tillë për rumunët jepet në kohën kur Kosova braktisi fushën për shkak të provokimeve të rënda nga tifozët rumunë.
“Pas Kosovës, një tjetër kombëtare konteston fitoren e Rumanisë në tavolinën e gjelbër: “Ajo apelon dhe qëndron e vendosur”!
Suedia e shqetësuar që Rumania fitoi ndeshjen me Kosovën në tavolinën e gjelbër dhe vendimi u bë i ditur vetëm sot”, ka shkruar mediumi rumun “Sport.ro”.
Kim Kallstrom, zyrtari i Suedisë, pas vendimit Rumani-Kosovë, tha: “Pas fitores së qartë të djeshme, kemi pritur njoftimin e UEFA-s për rezultatin e ndeshjes Rumani – Kosovë, tani është marrë një vendim që për ne është negativ.
Është e trishtueshme që gjërat që ndodhin jashtë fushës kanë një ndikim në rezultatin sportiv dhe prekin të dyja skuadrat e përfshira”.
Mediumi rumun shkruan më tej kësisoj: “Përveç Kosovës, e cila njoftoi se do të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në përpjekje për të anuluar fitoren e Rumanisë në tavolinë e gjelbër, një tjetër i madh i pakënaqur pas vendimit të UEFA-s është Suedia.
Edhe sikur të mos ishte në grup me ne, Suedia ishte drejtpërdrejt e interesuar për rezultatin Rumani – Kosovë.
Nordikët mposhtën Azerbajxhanin, të martën mbrëma, me rezultatin 6:0, pikërisht për të siguruar që do të kenë një gol diferencë më të mirë se Rumania dhe të kalojnë trikolorët në renditjen e fituesve të grupeve më të mira në Ligën e Kombeve.
Kjo është e rëndësishme për 4 ekipet kombëtare që do të shkojnë në play-off për Kampionatin Botëror 2026 falë kësaj në Ligën e Kombeve.
Të martën mbrëma, Suedia e dinte se ishte skuadra më e mirë në Ligën C, me 16 pikë dhe +15 gola diferencë, por suedezët llogariten me një barazim ndaj Rumanisë në ndeshjen me Kosovën.
Një ditë më vonë, UEFA i dha fitoren me rezultat zyrtar Rumanisë, dhe trengjyrëshit arritën në 18 pikë dhe morën këtë status të ekipit më të mirë në Ligën C”.