Sipas njohësit të çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar dhe nuk ka më vend për negociata të reja. Ai thekson se tashmë mbetet vetëm zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
‘’Dialogu Kosovë-Serbi është kryer. Janë kryer negociatat, ka mbetur vetëm të implementohet ajo çfarë është marrë vesh mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti’’, tha Spahiu.
Spahiu vlerëson se pjesa më e rëndësishme e një marrëveshjeje është implementimi i saj, pasi që, siç thotë ai, një marrëveshje e pa zbatuar mbetet thjesht një dokument në letër. Ai argumenton se Kosova nuk duhet të pranojë më që të përmbushë detyrimet e saj pa garanci për zbatimin e plotë dhe të njëkohshëm të të gjitha pikave të dakorduara.
Një nga pikat kyçe të marrëveshjes, sipas Spahiut, është hapja e ambasadave apo misioneve të përhershme diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Nga ana tjetër, Serbia kërkon që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston që të hapen ambasadat. Sipas tij, kompromisi i vetëm i pranueshëm do të ishte realizimi i këtyre dy hapave në të njëjtën ditë.
‘’Serbia insiston që një herë të bëhet Asosacioni pastaj shohim në ndërkohë që Kosova natyrshëm insiston që të hapen misionet e përhershme diplomatike, pra ambasadat e Kosovës në Serbi e Serbisë në Kosovë e pastaj të bë bëhet Asosacioni’,’ tha Spahiu.