Ushqimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, javëve të fundit ka qenë krye temë në vend, për shkak të raportimeve të ndryshme që shujtat e tyre janë të mangëta.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar, sot duke filluar nga ora 12:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Grupit Parlamentar të AAK-së, e cila është mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri ka theksuar se në qendër të seancës do të jetë një propozim rezolutë që obligon Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes për të zgjidhur me urgjencë çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisjet e nevojshme për ushtarët.
“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: “Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme””, ka shkruar Tahiri.