I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është deklaruar pas takimeve në Prishtinë dhe është shprehur i kënaqur me kthimin e tij, në vizitën e parë zyrtare që prej kur e mori këtë pozitë.
Sorensen theksoi se në takimet me presidenten e vendit Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kanë diskutuar se sa shumë i ka sjellë Kosovës dialogu, por edhe për rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit.
“Jam i mahnitur nga përparimi i bërë që kur u largova. Gjatë ditës së parë, bisedova me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për atë se sa shumë ka sjellë dialogu për Kosovën, si të sigurohemi që ai të vazhdojë të japë rezultate dhe rëndësinë që ka Ohri për këtë proces”, shkroi Sorensen në X.