Sonte në ora 20 e 45 luhet ndeshja Çeki Shqipëri.
Trajneri i Çekisë, Ivan Hasek ka folur në prag të ndeshjes me Shqipërinë.
Hasek nuk u kursye aspak duke treguar se kërkojnë hakmarrje, referuar humbjes në Shqipëri me 3 gola më 12 tetorin e kaluar.
“Do të jetë motivuese për këdo. Duam të tregojmë se jemi më të mirë se Shqipëria. Pavarësisht se Shqipëria e tregoi forcën në ndeshjen e shtëpisë ku luajtën në mënyrë brilante. Është detyra jonë që t’ja kthejmë dhe të provojmë për hakmarrje”, u shpreh timonieri i çekëve.
Kujtojmë se Ivan Hasek nuk ishte në stolin e Çekisë asokohe. Kundër Shqipërisë nuk numëron asnjë takim dhe nesër do të jetë i pari.