Beteja për të nisë mu në vendin ku punon vullnetarisht për individët me të cilën ndan të njëjtin hall.
Hyrjen në objektin e shoqatës së vet nuk e ka aspak të favorshme. Por Besarta Gorqaj është e familjarizuar me sfidat që kur ka arritur të mbajë mend.
Me probleme me ecjen që nga lindja, e diagnostifikuar me epilepsi, ajo ka humbur shikimin thuajse plotësisht pesë vite më parë.
Por pavarësisht tyre, u detyrua t’i dalë zot vetes si rrjedhojë e një qëllimi të qartë.
“Është e vetmja arsye, pavarësia. Pavarësimi i vetvetes sepse ndryshe nuk ia del. E kam pasur problem të jem barrë për familjen, e kam pasur problem ta ketë familja detyrë të më mbikqyr, s’jam pajtuar kurrë të bëhem barrë”, ka theksuar Besarta Gorqaj, Kryetare e shoqatës së të Verbërve.
Daljen nga shtëpia pa dikë e ka të pamundur përpos në vendet, ku rrugët i ka memorizuar mirë.
Kjo ngase për të funksionuar tërësisht e pavarur, asaj dhe të tjerëve në shoqatë, ua pamundëson infrastruktura në vend. E me kritika, Gorqaj shprehet edhe për mbështetjen nga institucionet.
“S’ka kushte. Për persona të verbër s’ka kushte. Do duhej të kishte korsi ku ke mundësi ta përdorësh shkopin, kur hynë në ndërtesa do duheshin lifte me zërim, me akustikë, mungon në tërësi. Ose pse jo edhe numrat në lifte të ishin të alfabetit Brajt, që ta dimë ku po hymë. Ndihmë prej shtetit kanë qenë 45 euro që u llogaritke pension invalidor. Dikur u bë 75, dikur 100. Dikur kur hyra në verbëri 125 se isha pjesë e efektit të dytë. Tash qe 5 vjet shikimi më ka lënë thuajse krejt, që sot janë 300 euro nga shteti”, ka theksuar ajo.
Për të ndihmuar në lehtësimin e vështirësive të të tjerëve, Gorqaj mori përsipër Shoqatën e të Verbërve duke u bërë adresë e shumë familjeve.
“Përmbushja më e madhe e imja duke u falënderuar edhe juve, ishte kur një antarë të shoqatës e bëmë me shtëpi. Ishte sfidë të vraponim 4 vite dyerve, derisa u realizua me ju. Më i zorshmi ka qenë anëtarësimi i një fëmije të prosalindur. Më ka rrëzuar për toke. I kam përballuar plot por kur e pash, thash ti s’ke asGjë në krahasim me ç’ka përballen njerëzit”, ka deklaruar ajo.
Shoqata e të Verbërve në Istog varet nga të hyrat e bamirësisë e edhe nga komuna e Istogut.
Ndonëse thekson se ka për të qenë krahë për ata në nevojë, për Gorqajn gjithçka nisë nga besimi në vete.
“Mesazhi jem është punoni pavarësisht sfidave që keni. Të tregoni se mundeni dhe ia dilni. Nuk ka të metë fizike që ju penalizon. Bëhuni frymëzimi në familjen tuaj, tregoni shoqërisë se jeni e zonja”, ka theksuar ajo.
Në Shoqatën e të Verbërve në Istog janë të anëtarësuar 176 të verbër, mes tyre edhe fëmijë të porsalindur.