Protestat masive që kanë përfshirë Serbinë po e tronditin themelet e regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Demonstruesit janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe çdo lëshim nga ana e presidentit serb mund të sjellë shembjen e pushtetit të tij totalitar.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në Beograd, shërbimi i sigurisë dhe inteligjencës së Vuçiqit, BIA, ka parashikuar se ai mund “të bjerë brenda gjashtë muajsh” nëse nuk ndërmerr masa dhe protestat vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin. Aktualisht, mandati i tij presidencial zgjat deri në pranverën e vitit 2027, por tensionet në rritje po vënë në dyshim qëndrueshmërinë e tij në pushtet.
Sipas profesor Avni Islami, ekspert i shkencave të sigurisë, sjellja e dhunshme e regjimit nuk është shenjë fuqie dhe vendosmërie, por përkundrazi, tregon nervozizëm dhe dobësi. “Regjimi i Vuçiqit po përballet me një nga sfidat më të mëdha të ekzistencës së tij. Dhuna shtetërore kundër protestuesve vetëm sa e forcon rezistencën qytetare dhe përshkallëzon situatën,” tha Islami.
Ndërsa tensionet rriten, mbetet për t’u parë se si do të reagojë Vuçiq ndaj kësaj vale të pakënaqësisë publike dhe cilat masa do të marrë për të ruajtur pushtetin e tij.