Gjatë ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit të Rezultateve u raportua për një incident mes përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi me Nehat Gecin, vëllain e Gani Gecit.
Lidhur me këtë, ka folur Gani Geci, i cili thotë se ky debat nuk ishte konfrontim i madh, megjithëse pati fjalosje.
“Trendi i votave të diasporës me postë, po e frikëson pak LVV-në, për arsye se LDK-ja po del ma mirë sesa pritjet e tyre. Unë besoj se duhet të hetohen votat në ambasada, për arsye se mund të ketë manipulime të votave. Ata kanë nisur të bëhen agresivë, agresivë me vëzhguesit e LDK-së kryesisht, jo me të tjerët, sepse LDK-ja po del ma mirë, dhe ky problem do të duhej ta shqetësonte Prokurorinë, e jo KQZ-në”, tha Geci.
“Me shku me i kërcënu të tjerët, nuk është në rregull. Me iu thënë të tjerëve ‘hajde dalim jashtë’, nuk është në rregull. Siç duket, pa e njohur kanë folur edhe me vëllain tim, e aty kanë hasur në gozhdë, iu ka thënë ‘rrenca jeni ju’. Kaq ka pasur”.
Geci thotë se atë gjatë qëndrimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, nuk e kërcënoi askush.
Tutje, ai foli edhe për mosparaqitjen e kryeministrin Albin Kurti në Prokurorinë Speciale, i cili thotë se ky është shembull i keq pasi qytetarët mund ta ndjekin.
Po ashtu, Geci premton se nuk do të paraqitet në asnjë kërkesë të gjykatave në cilësinë e dëshmitarit, përderisa kryeministri nuk paraqitet.
“Është shembull i keq në Republikën e Kosovës kur kryeministri nuk paraqitet dëshmitar kur thirret në Prokurori. Është shembull i keq sepse mund ta ndjekin qytetarët. Prej sot, kurdo që më thërrasin mua si dëshmitar, në çfarëdo gjykate do ta refuzoj derisa kryeministri i Republikës së Kosovës të paraqitet, ai është shembull për mua”, tha Geci.